“Në rritje personat e imunizuar, bien infektimet”

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik parashikojnë një situatë optimiste sa i takon ecurisë së pandemisë në vendin tonë.

Gjatë një intervistë për televizionin Klan epidemiologu Artan Simaku shprehet se shifrat e të infektuarve ditorë do të vijojnë të ulen.

“Prej rreth 2 javësh ka një numër të qëndrueshëm dhe kjo tendencë parashikohet që në ditët në vijim të vazhdojë drejt uljes. Në ditët dhe në javët në vijim parashikohet një ulje e këtyre rasteve”.

Ndërsa infektimet ditore po bien, në rritje është numri i të imunizuarve. Edhe pse nuk jep shifra konkrete, Simaku shprehet se Vera mund te sjellë normalitetin.

“Shifrat janë të ndryshme duke krahasuar me muajt Tetor, Nëntor, Dhjetor. Në muajt e parë të 2021 trendi është në rritje, qoftë në personat që kanë imunitetin natyral qoftë dhe në personat e vaksinuar. Parashikohet që në muajt në vijim deri në fillim të Verës të kemi një rritje të personave të imunizuarve që të jemi në një situatë drejt normalitetit”.

Aktualisht në të gjithë vendin numërohen mbi 33 mijë të infektuar aktivë me Covid. Shifrat e të prekurve dhe viktimave ditët e fundit kanë qenë në rënie, ndërsa në spitale paraqitet një situatë nën kontroll.

Tv Klan