Artan Berisha thotë për emisionin investigativ “Stop” në Tv se problemi i tij është që kërkon të regjistrojë dy fëmijët e tij që kanë lindur në Suedi. Në vitin 2018, ai u njoh me Blerina Hanken nga Elbasani, e martuar dhe me 4 fëmijë. Ajo i tha se ishte e ndarë sipas ligjit islam dhe kërkuan azil në Suedi. Gjatë kësaj kohe, erdhën në jetë 2 fëmijë, vajza sot 4 vjeç e gjysëm dhe djali 2 vjeç e gjysëm.

Në vitin 2023, autoritetet suedeze i kthyen në Shqipëri. Në këtë moment, Artani tregon se e la edhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët i mbetën atij për t’u përkujdesur. Sot Artani nuk i regjistron dot fëmijët, në mënyrë që të fillojë dhe vetë ndonjë punë për të jetuar. Mosregjistrimi vjen për shkak të dokumenteve të paplota, djali është pa atësi dhe duhet të behet testi i ADN-së dhe të ketë vendim gjykate për t’u njohur. Po kështu, fëmijët rezultojnë në trungun familjar të nënës.

Denoncuesi: Dua t’i regjistroj 2 fëmijët e mi. Kanë lindur në Suedi. Në vitin 2018 u njoha me Blerina Hankjan, e cila është banuese në Elbasan. Ajo ishte e martuar me 4 fëmijë.

Gazetarja: Me dikë tjetër ndërkohë që të njohu ty?

Denoncuesi: Po, nuk shkonte mirë me bashkëshortin e vet. Më shkruajti në Facebook ajo mua dhe më tha që “jam e kërcënuar” nga bashkëshorti i saj dhe më tha që “dua të jetoj me ty”. Duke e parë që ishte njeri shumë i sprovuar dhe mendova thashë ta marr për shtëpi. Babai i saj më tha mua që “mund ta marrësh vajzën time, ajo nuk ka shkuar mirë me të dhe më tha të lutem dua të ma trajtosh mirë vajzën sepse ka kaluar shumë vështirësi në jetë”. E mora këtu, mami nuk ma pranonte këtu. Kam jetuar në shtëpi me qira. Domethënë kam kaluar shumë sakrifica. Patstaj mendova të shkoj në Suedi, pasi kam qenë në Suedi, kërkuam azil për mbrojtje duke qenë se i rrezikohej jeta asaj dhe mua.

Gazetarja: Erdhën në jetë 2 fëmijë…

Denoncuesi: Vajza 4 vjeç e gjysëm, Hafsa dhe djali 2 vjeç e gjysëm. Lindën atje në Suedi. Nga viti 2019 që qëndruam në Suedi dhe deri në 2023-shin. Në fillim të Janarit 2023, kemi ardhur në Shqipëri. Arsyeja është se azili përfundoi.

Gazetarja: Çfarë ndodhi pastaj me ardhjen tuaj në Shqipëri?

Denoncuesi: Pastaj ajo më la. Tha “nuk dua të jetoj me ty”. Arsye të kota.

Gazetarja: Dhe fëmijët t’i la ty?

Denoncuesi: Më erdhi tek dera e shtëpisë me këto 2 fëmijë dhe më tha “këto fëmijë do t’i mbash ti”.

Gazetarja: Siç ja kishte lënë ish-burrit të parë.

Denoncuesi: Po.

Gazetarja: Kush është problematika jote që na ka sjellë ne këtu?

Denoncuesi: Që këto 2 fëmijë dua t’i regjistroj patjetër për arsye se nuk kam kush të m’i mbajë fëmijët dhe dua t’i çoj në kopsht dhe në çerdhe sepse nuk kam asnjëlloj të ardhure. I kam letrat që fëmijët kanë lindur në Suedi. I dorëzova tek Njësia Bashkiake Numër 4. Njërin e kam me atësi dhe tjetrin… Domethënë, Musa, ky djali është pa atësi, por djali e ka mbiemrin tim tek letrat. Tek Njësia 4 më kanë thënë që duhet t’i çosh që t’i regjistrosh në Elbasan. Tani, aty hapin probleme se Blerina ka një gërmë që suedezi e ka ndryshuar dhe e ka pasur Qafa dhe e kanë bërë Qajo, tani ajo ka mbiemrin e babës, Hankja.

Gazetarja: Çfarë kërkon?

Denoncuesi: Ajo që kërkoj unë është se dua t’i çoj në kopsht dhe në çerdhe, ju lutem shumë më ndihmoni bashkë me institucionet kush ka mundësi  që këta fëmijë të regjistrohen dhe të kenë mundësi që të shkojnë në kopsht dhe në çerdhe që edhe unë të punoj që t’i mbaj këta dy fëmijë se jam i vetëm, nuk ka kush të më ndihmojë.

/tvklan.al