Ishte e sëmurë në spital dhe e hoqën nga puna, drejtori: Të shkojë në gjykatë!



Ishte e sëmurë në spital dhe e hoqën nga puna, drejtori: Të shkojë në gjykatë!

21:30 08/01/2021

Emisioni “Stop” trajtoi këtë të premte rastin e Dile Kolës. Nga data 6 Shtator deri në datën 25 Shtator për shkak të problemeve shëndetësore ajo ka qenë me raport mjekësor. Në këtë kohë njësia administrative Ungrej kërkoi largimin e saj nga vendi i punës, me pretendimin, se nuk e ka sjellë raportin në kohë.

Gazetarja: Në fakt kemi edhe një tjetër në datën 8 Shtator, mos gabohem. Dhe kemi largimin e zonjës në datën 16 Shtator. Nga data 6 Shtator deri në datën 25 Shtator, zonja, pasi ka qenë në spital, ka qenë me raporte mjekësore. Më thuaj administrator, a mund të largohet një person me raporte mjekësore dhe i sëmurë?

Administratori: Ma sill listëprezencën, ku e ke raportin mjekësor? Bjere këtu!

Denoncuesja: E kam raportin.

Administratori: Sille, sille! Ti ke sjellë raportin mbas 2 javësh. Të kemi marrë në telefon…

Denoncuesja: Jua kam sjellë, po kam qenë t’u ndjek këshillat e mjekut. Unë ta kam sjellë raportin pastaj.

Administratori: Dila, duhet…Tashi…Ne..

Denoncuesja: Unë të kam vu në dijeni tek listëprezencat.

Administratori: Drejtohu tek Burimet Njerëzore pranë Bashkisë Lezhë. Atje ke paraqit raportet, atje ke dhënë arsyet!

Denoncuesja: Edhe drejtorit, edhe ty ju kam thënë. 

Përgjegjësi i administrimit të sektorit të pyjeve ka treguar për “Stop” se e ka njohur Dile Kolën prej afro një viti. Sipas tij, ajo ka qenë në punë dhe ka punuar me të deri në Shtator.

Pas vendimit të kryetarit të Bashkisë së Lezhës, punonjësit duhet të firmosnin listë-prezencën tek administratori i njësisë administrative. Akti i zyrtar i shkarkimit ai tha se nuk i është përcjellë atij vetë.

Meqë dokumenti ka ardhur i firmosur nga kryetari i Bashkisë së Lezhës dhe ka kaluar në zyrën e Burimeve Njerëzore, Stop iu drejtua pikërisht Bashkisë së Lezhës, ku komunikuan me Drejtorin e Burimeve Njerëzore.

Ai thotë, se nuk ka patur asnjë raport në zyrën e tij në momentin, që ka firmosur letrën dhe zonja tani duhet t’i drejtohet gjykatës, për të zgjidhur këtë problem, nëse pretendon, se ka të drejtë.

Gazetarja: A mund të largohet një person nga puna gjatë kohës, që është me raport?

Drejtori: Të lutem, unë…në zyrën time kur është bërë largimi, unë nuk kam pas asnjë raport në zyrën time.

Gazetarja: Çfarë keni patur në zyrën tuaj ju?

Drejtori: Për çdo paqartësi, që keni, mund të shkoni tek zyra me një ndalesë dhe të bëni aplikim!

Gazetarja: Më falni, ju a komunikoni me zyrat me njëra-tjetrën, se një zyrë e ka raportin shëndetësor, ju nuk e keni raportin shëndetësor.

Drejtori: Kur është bërë largimi, unë në zyrën time nuk kam pas asnjë raport për këtë person. Është një gjykatë, që vendos, nëse është e drejtë, apo s’është e drejtë. 

Gazetarja: Po drejtor, po pse duhet të shkojë qytetarja gjykatave, duke pas me i zbatuar ligjet, që në institucionet shtetërore? Pse të shkojë në gjykatë?

Drejtori: Informohu mirë për zonjën! A ka qenë në punë, a s’ka qenë në punë?  Kaq di me të thënë. Tashi, të lutem mos më ashtu edhe më tepër, se nuk ia vlen! Për pjesët e tjera, për anën ligjore, është pjesa e gjykatës, që vendos për atë pjesë. Kemi pas të drejtë ne si Bashki, apo s’kemi pas.

Drejtori: Bëj kërkesën në Bashki…tek zyra me një ndalesë!

Gazetarja: Jo, jo, jo! Më vjen keq! Nuk ndalohem tek zyra me një ndalesë, se nuk jam qytetare. Jam media, i nderuar. Dakord? Faleminderit! Ditë të mbarë!

Drejtori: Okay! Mirupafshim!/tvklan.al







Të ngjashme