E lirshme dhe pa komplekse, në vitet 90-të Xhenis Mazreku qe shëndërruar në një “pop star” të vërtetë për festivalet muzikore të fëmijëve. Me motivet që të mbeten në mendje dhe performancat e kuruara që nga veshja tek koreografia, këngët e saj hynë në historinë e muzikës shqiptare për fëmijë të cilat edhe në ditët e sotme është e pamundur të mos i dëgjosh në çdo organizim për fëmijë.

Dhe në fakt festat për fëmijë janë kthyer në angazhim e saj të përdishëm. Sot ajo drejton një biznes për organizimin e eventeve si dhe është nënë e një djali 3-vjeçar. Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan, Mazreku rrëfeu se si nisi gjithçka dhe përse u tërhoq nga muzika.

“Ka prindër që më thonë: Djalin tënd e ushqen me këngën “Sa do doja një qenush” ose “Në tropik”… Unë nuk e ushqej djalin tim me këto këngë, por ai më dallon dhe e kupton menjëherë që është kënga ime dhe fillon i këndon vetë. Fillimi ka qenë në balet me Kozeta Bakiun, me të cilën kam qenë në një lagje.

Pastaj Adi Hila tha: Pse mos provojmë një këngë. Aty filloi gjithçka lidhur me këngën. “Në tropik” ka qenë një këngë që nuk do të harrohet. Unë nuk këndoja për të fituar, por për t’u kënaqur. Hera e fundit që kam kënduar në skenë ka qenë para 10 vitesh te “Kënga Magjike”. Nuk e di si nuk kam rënë nga ajo skenë, më dridheshin këmbët. Kur u rrita pak, u bëra tip më i tërhequr, doja të shkëputesha nga vëmendja dhe u tërhoqa. Tashmë merrem me dyqanin. Dua që djali im të mos ketë ndrojtjen që kam patur unë”

, tha Mazreku.

/tvklan.al