Mjeku Gerond Husi ka humbur betejën me Covid-19. Prej ditësh Husi ishte infektuar me virusin vdekjeprurës dhe pas probleme të rënda shëndetësore shkoi për kurim në Turqi.

Sot mjeku ka ndërruar jetë, pasi shëndeti i tij u përkeqësua. Lajmi për vdekjen e Gerond Husit e ka bërë publik, mjeku Tritan Kalo. Ky i fundit shkruan në një postim në mediat sociale, se ngjarja e sotme është “e pabesueshme por dhëmbshurisht e vërtetë”.

Më tej mjeku i njohur shton se armatës së mantelbardhëve nga sot do t’i mungojë një prej anëtarëve të saj. “Gojëmbli, zemërmadhi, mendjendrituri, buzagazi, fjalëpaku dhe punëshumi si ai. Vinte kurdoherë te ne në Infektiv për konsultat Endokrinologjike, e sillte kurdoherë me vete një fllad induktues të optimizmit jetësor”, kështu e kujton Kalo mjekun e njohur që humbi jetën nga Covid.

Mjeku Gerond Husi ishte 50 vjeç dhe kishte një karrierë të gjatë në mjeksinë shqiptare./tvklan.al