E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ka qenë aktorja e njohur nga Kosova Adriana Matoshi e cila ka folur për karrierën e saj të suksesshme ndër vite dhe momentin më të vështirë që ka kaluar, operacionin nga sëmundja e tumorit në kokë. Në muajin e shtatë të shtatzënisë së katërt Adriana mësoi se vuante nga kjo sëmundje dhe i është dashur patjetër t’i nënshtrohej një operacioni. Aktorja ka bërë rrëfimin rrënqethës dhe përjetimin e saj në atë periudhë kohe.

“Ishte viti 2012 dhe isha shtatzënë. Po në atë vit ishte dhe xhirimi i filmit “Kthimi” dhe në fillim e refuzova sepse sapo e kuptova që kisha tumor. Por kur e mendova më thellë thashë ndoshta është roli im i fundit, duhet të bëj diçka që fëmija im i katërt të shohë nënën e saj në këtë periudhë. Paralelisht kam xhiruar filmin dhe kam pasur shumë vështirësi, por menjëherë sapo e kam lindur fëmijën, filmi ka aplikuar në një nga festivalet më të mëdha në botë. Unë isha në spital, sa e kisha lindur vajzën dhe atje kemi marrë çmimin kryesor “Filmi më i mirë” . Ndërkohë që isha e shtruar në spital unë po mendoja për operacionin e dytë sepse vajzën e linda me operacion për shkak të tumorit. Kemi hulumtuar për operim të kokës jashte shtetit dhe doktorit që po më ndihmonte në Kosovë i erdhi një email ku i thanë pse po vini tek ne kur ju e keni mjekun më të mirë në botë, Mentor Petrelën.

Prindërit e mi nuk e dinin që unë nuk kisha një tumor dhe asnjë familjar tjetër. Kisha stres dhe frikë se çfarë do bëhet me mua dhe si ta bëj situatën që mos merret vesh nga familjarët. Të shkoja dhe ta kryeja, prapë e kisha atë frikën që ndoshta nuk do shpëtoj si t’i them mamit dhe babit se unë jam fëmijë i vetëm në familje, nuk kam as motër as vëlla.

Në atë kohë me ish-bashkëshortin tim kemi ardhur në Tiranë, kemi takuar doktorin Mentor Petrelën. Nuk kam për ta harruar asnjëherë, ai ka folur aq lehtë, aq thjeshtë për atë lloj tumori që menjëherë ajo frikë më ka ikur dhe kam thënë nëse më thotë mjeku hajde tani shtrihu të të operoj unë nuk e kisha aspak problem”, është shprehur Adriana. /tvklan.al