Policia e Durrësit ka mundur të arrestojë shoferin që përplasi për vdekje një 63-vjeçar mbrëmjen e së dielës në lagjen Nr.6.

Ai është 34-vjeçari me iniciale D.M., një person me precedent penal dhe i dënuar disa herë për vepra të ndryshme. Në momentin e aksidentit, 34-vjeçari ka qenë me masë sigurie arrest në shtëpi, por kishte thyer këtë masë duke u larguar nga apartamenti.

Duke qarkulluar me makinë, ai përplasi për vdekje 63-vjeçarin me iniciale H.B., që lëvizte me biçikletë. Më pas ishte larguar nga vendngjarja.

Ai u arrestua disa orë më vonë. Policia e Durrësit thotë se 34-vjeçari me iniciale D.M. ka qenë me masë sigurie arrest shtëpie për armëmbajtje pa leje.

Ai ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “vjedhja”. Gjithashtu ai ka qenë dhe autori i një aksidenti me pasojë vdekjen të ndodhur në vitin 2008.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.  /tvklan.al