Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim, i identifikuar si Ardian Narkaj, ka mbetur i plagosur me armë zjarri në qytetin e Shkodrës.

Sipas Klan News, Narkaj është plagosur nga forcat RENEA gjatë operacionit për kapjen e tij. Policia zyrtarisht bën me dije se 52-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të RENEA-s, duke tentuar të largohej dhe në këtë moment është bërë plagosja e tij.

Deri tani bëhet me dije se i plagosuri ka shkuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Shkodrës dhe më pas është nisur me helikopter drejt Tiranës, për të marrë ndihmë më të specializuar.

Sipas informacioneve mësohet se i plagosuri është në gjendje të rëndë shëndetësore. Narkaj rezulton në kërkim për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2008.

Kush është 52-vjeçari që u plagos sot në Shkodër

Ardian Narkaj, 52-vjeçari që mbeti i plagosur këtë mëngjes në Shkodër, është një person i shpallur në kërkim.

Pak kohë më parë Policia e Shtetit e ka listuar Narkajn si një ndër 100 personat më të kërkuar në vend.

Ai rezulton i dënuar me 21 vite burgim, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”. Narkaj akuzohet për vrasjen e Tonin Ulajt dhe të Gjergj Shotës, ngjarje e cila ka  ndodhur në vitin 2008.

Krimi i dyfishtë ndodhi gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga Policia.

Detaje të reja për plagosjen e 52-vjeçarit në Shkodër, nuk iu bind urdhrit për dorëzim dhe hapi zjarr kundër policisë

Detaje të reja janë mësuar për plagosjen e 52-vjeçarit, Ardian Narkaj. Burime për Klan News bëjnë me dije se për arrestimin e Narkaj kanë marrë pjesë forcat RENEA dhe forcat e Policisë së Shkodrës.

Mësohet se gjatë operacionit ka pasur shkëmbim zjarri dhe 52-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të RENEA-s për t’u dorëzuar.

Narkaj mësohet se ka hapur zjarr kundër policisë dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ai ka mbetur i plagosur.

52-vjeçari është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar dhe gjendje e tij është e stabilizuar, por sërish në rrezik për jetën.

Plagosja e Ardian Narkaj, policia sqaron dinamikën: Nuk iu bind urdhrave të RENEA dhe tentoi të largohej

Policia e Shkodrës ka sqaruar dinamikën e plagosjes së 52-vjeçarit Ardian Narkaj. Në një njoftim për mediat, autoritetet sqarojnë se sot është zhvilluar operacion në bashkëpunim me forcat RENEA, pasi kishin marrë informacion për vendndodhjen e Narkaj, i cili ishte në kërkim prej 10 vitesh për një vrasje të dyfishtë.

Operacioni është zhvilluar në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” Bratosh të Malësi e Madhe. Forcat speciale RENEA kanë rrethuar njëqstan bagëtish ku fshihej Narkaj dhe i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar.

Po ky person nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka tentuar të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. Forcat speciale RENEA kanë marrë masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi kanë konstatuar se ky person ishte i armatosur dhe i kanë bërë disa herë thirrje për tu dorëzuar.

Ardian Narkaj nuk i është bindur as urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet sërish, në këtë moment është bërë plagosja e tij me qëllim për ta neutralizuar dhe për ta kapur.

52-vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga  Renea dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës në  gjendje të stabilizuar.

Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë me fishekë në fole gati për qitje./tvklan.al