Shumë emigrantë shqiptarë, si ata që kanë njohur suksesin në profesionet e tyre dhe jo kanë gjetur forma të ndryshme për t’i treguar vendit ku jetojnë ngjarjen e tyre. Së fundmi mediat në Itali po shkruajnë e po flasin për Eltjon Bidon.

Mikrofonët dhe diktofonët i janë drejtuar 41-vjeçarit pasi historinë e tij e përmblodhi dhe e bëri publike në librin me titull “C’era una volta un clandestino”, “Ishte një herë një klandestin”.

Eltjonin nuk e lidh asgjë me shkrimtarinë. Atë nisi ta praktikoj gjatë viteve si recepsionist në një nga hotelet e Milanos.

Në orët kur nuk i shërbente turistëve, ai shkruante atë që ruante në kujtesë, një 17-vjeçar në vitin 1995 që kaloi Adriatikun me gomone, pasi mjekët në vendlindje nuk i morën përsipër një ndërhyrjeje kirurgjikale në veshkë e deri në ditën më të gëzueshme, përfitimin e lejes së qëndrimit në Italinë e 1997-s.

Sot Eltjoni është babai i dy djemve dhe bashkëshorti i një emigranteje angleze. Ai thotë se historia e tij nuk do të mbetet thjesht nga hipja në gomone deri tek vendosja e emigrantëve nëpër kampe. Vendit ku ka zgjedhur të jetojë do t’i tregojë edhe luftën e brendshme dhe të jashtme në dhe të huaj në një tjetër libër që titullin ia ka gjet “Jetë recepsionisti”.

Tv Klan