Banorët e Ishujve Kanaries të Spanjës kanë protestuar kundër modelit të turizmit që sipas tyre po i penalizon edhe vetë ata.

Mijëra njerëz në Tenerife dolën të shtunën në protesta duke i bërë thirrje qeverisë spanjolle që të kufizojë përkohësisht vizitat e turistëve. Arsyeja? Për të frenuar rritjen e qirave të shtëpive të pushimit dhe ndërtimin e hoteleve që po rrit kostot e strehimit për banorët vendas.

Ata mbanin në duar pankarta “këtu jetojnë banorë” dhe “nuk duam ta shikojmë ishullin tonë që të vdesë”.

Protestuesit thanë se qeveria duhet të bëjë ndryshime në industrinë e turizmit, që përbën në fakt 35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas tyre, duhet gjetur një model që të mos dëmtojë banorët vendas në zonat turistike, që ata thonë se janë të pambrojtur nga rritja e qirave për shkak të turistëve.

“Ky nuk është mesazh kundër turistëve, por kundër modelit të turizmit që nuk sjell dobi dhe duhet ndryshuar“, tha një protestuese për Reuters.

Marshime më të vogla u mbajtën edhe në zonat e tjera të Ishujve Kanaries. Protestat u organizuan nga organizatat mjedisore.

/tvklan.al