“Së pari u skllavëruam. Pastaj u helmuam”. Kështu thonë shumë nga banorët e ishullit francez në Karaibe. Vend, i cili për turistët do të thotë diell, rum dhe plazhe me fruta ekzotike.

Bëhet fjalë për ishullin Martinique, i cili është një pjesë integrale e Francës.

Skllavëria në ishull u shfuqizua në vitin 1848. Por, sot banorët e ishullit janë përsëri viktima të një pesticidi toksik të quajtur chlordecone. Pesticidi që ka helmuar tokën dhe ujin dhe lidhet me nivelet jashtëzakonisht të larta të kancerit të prostatës te banorët në vend.

 “Ata kurrë nuk na thanë se ishte e rrezikshme, kështu që njerëzit po punonin, sepse ata i donin paratë. Ne nuk kishim ndonjë udhëzim për atë që ishte dhe nuk ishte e mirë. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz janë helmuar, po helmohen,” është shprehur Ambroise Bertin, njëri nga banorët e ishullit.

Ai foli për një kimikat në formën e pluhurit të bardhë, që punëtorëve të plantacioneve u është thënë ta vendosnin nën pemët e bananeve, për t’i mbrojtur nga insektet.

Edhe pasi efektet e tij të dëmshme ishin bërë të njohura gjerësisht, pesticidi ishte autorizuar të përdorej në ishujt francez.

Chlordecone është një përçarës endokrin, që do të thotë se mund të ndikojë në sistemet hormonale. Qëndron në tokë për dekada, ndoshta edhe shekuj. Dhe, edhe pse tani ka më shumë se 20 vjet që kimikati nuk përdoret, shumë nga tokat në Martinique janë të helmuara nga ai, nuk mund të rriten as perime, përveç bananeve dhe frutave të tjerë në pemë.

Lumenjtë dhe ujërat bregdetarë janë gjithashtu të ndotur, që do të thotë se shumë peshkatarë nuk mund të punojnë. Dhe 92% e martinikanëve kanë gjurmë të chlordecone në gjakun e tyre.

Prodhimi i chlordecone u ndalua fillimisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 1975, pasi punëtorët në një fabrikë që e prodhonte atë ishin ankuar për turbullira në shikim dhe probleme seksuale. Ndërsa në vitin 1979, Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi për herë të parë pesticidin si potencialisht kancerogjen.

Por edhe më pas, autoritetet franceze autorizuan kimikatin për përdorim në plantacionet e bananeve në ishuj.

Në vitin 2018, pas më shumë se 10 vitesh fushatë nga politikanët francezë të Karaibeve, Presidenti Emmanuel Macron pranoi përgjegjësinë e shtetit për atë që ai e quajti “një skandal mjedisor”.

Ai tha se Franca kishte pësuar “verbëri kolektive” mbi këtë çështje.

Një ligj për krijimin e një fondi kompensimi për punëtorët e bujqësisë tani është miratuar në Francë. Por pagesa nuk ka filluar ende.

Megjithatë, një nga deputetët e ishullit, Serge Letchimy, është shprehur se “shtetit kurrë nuk do t’i duhej kaq shumë kohë për të reaguar nëse do të kishte pasur ndotje në të njëjtën shkallë në një vend tjetër në Francën evropiane. Çështja është se si trajtohen territoret përtej detit. Ka përçmim, distancë, mungesë respekti,” shtoi ai. /tvklan.al