Autoritetet greke janë të shqetësuara për shkak të mosrespektimit të protokolleve

Ndërsa sezoni turistik i Greqisë po ecën me ritme të shpejta, autoritetet vendase po mendojnë po mendojnë të shtojnë kontrollet e rrepta në ishuj si Mykonos dhe Ios.

Autoritetet greke kanë shprehur shqetësim për shkak të  mosrespektimit të masave të cilat synojnë  frenimin e pandemisë.

“Ndërsa hotelet dhe bizneset të tipit familjar po zbatojnë protokollet me zell, ka më shumë mbipopullim sesa do të donim të shihnim në bare, veçanërisht në mesin e të rinjve … kështu që ne po përpiqemi të sigurohemi që të ruhet një ekuilibër”, u shpreh ministri grek i turizmit Haris Theoharis për britaniken “The Guardian”.

Rreth 186 pjesëtarë të forcave të rendit janë dërguar vetëm në Mykonos, nga 56 të cilët kanë qenë të pranishëm aty që nga viti i kaluar.

Ndërkohë 30 policë të tjerë janë dërguar në ishullin Ios i njohur për baret, diskotekat dhe klubet e tij të natës.

Mykonos dhe Ios janë vetëm “një hap” larg masave kufizuese. Situata në 6 ishujt e njohur si Zakynthos, Tinos, Lefkada, Santorini, Paros dhe Rodos paraqitet gjithashtu shqetësuese.

Ndërkohë turizmi  në Greqi përbën pothuajse 25% të PBB. Në Qershor Banka e Greqisë parashikoi që do të duheshin gati në dy deri në tre vjet që udhëtimet dhe shpenzimet të ktheheshin në nivelet para pandemisë, duke deklaruar se të ardhurat për këtë vit nuk kanë gjasa të tejkalojnë 40% të të ardhurave në vitin 2019 kur të ardhurat nga turizmi në atë periudhë arritën nivelin rekord të të gjitha kohërave prej 18 miliardë eurosh.

Klan News