ISIS ka marrë peng rreth 700 persona në Siri, përfshirë shtetas europianë e amerikanë dhe është zotuar se do të vrasë 10 në ditë. Deklarata vjen nga presidenti rus Vladimir Putin, sipas të cilit, grupi xhihadist po i mban pengjet diku në jug të lumit Eufrat, në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Duke folur në qytetin resort të Sochi-t, Putin tha gjithashtu se i ashtuquajturi Shteti Islamik po e zgjeronte kontrollin e tij në territorin e kontrolluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat aleate, ndërsa akuzoi Amerikën për dështimin “katastrofik”.

“Terroristët e Shtetit Islamik kanë lëshuar ultimatume dhe kanë bërë kërkesa të caktuara, duke kërcënuar se do të vrasin 10 persona në ditë. Kjo është e tmerrshme, është një katastrofë. Në mesin e pengjeve ka edhe shtetas amerikanë dhe europianë”,

tha Putin, ndonëse nuk specifikoi se cilat ishin kërkesat e tyre.

“Të gjithë heshtin, sikur të mos ketë ndodhur asgjë”,

shtoi më tej Presidenti rus.

Agjencia ruse e lajmeve TASS, raportoi të mërkurën se militantët e ISIS kishin marrë rreth 700 pengje në provincën siriane të Deir al Zor, pasi kishin sulmuar një kamp refugjatësh në një zonë të kontrolluar nga forcat e mbështetura nga SHBA, më 13 Tetor.

/tvklan.al