Militantë të grupit terrorist Shteti Islamik po planifikojnë sulme në disa qytete të mëdha europiane, sipas një raporti të shërbimeve sekrete britanike. Dokumentet e zbuluara nga e përditshmja Sunday Times paralajmërojnë se terroristët po grumbullohen nën një “departament për operacionet në Europë”, siç e quajnë vetë xhihadistët.

Celulat e terrorit po organizohen nga vetë xhihadistët që jetojnë në vendet europiane, të cilët janë gati të presin edhe militantët që po largohen nga ish-territoret e Shtetit Islamik në Irak e Siri, të cilat tashmë janë çliruar pas sulmeve të fuqive të mëdha.

Siç shkruan Sunday Times, planet u zbuluan në një hard disk që u ra në duar militantëve pro-perëndimorë gjatë një beteje të një muaji më parë në Siri, pasi zbrapsën luftëtarët e Shtetit Islamik.

Prej 2015-s, xhihadistët e Shtetit Islamik janë përgjegjës për disa sulme terroriste me qindra viktima nëpër Europë, Shtetet e Bashkuara, Australi e Rusi. Këtë muaj, xhihadistët humbën edhe fortesën e tyre të fundit, qytetin Baghuz në Siri, pranë kufirit me Irakun.

Tv Klan