Shpërthimi i një autobombe në Dagestan, në jug të Rusisë, shkaktoi vdekjen e dy policëve dhe plagosjen e 18 të tjerëve, mes të cilëve edhe civilë.

I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përsipër sulmin e kryer nga një kamikaz, në pikëkontrolli të policisë, pranë qytetit Derbent. Shërbimi Sekret Federal (FSB), tha se sulmi u krye nga një grup terrorist lokal, i njohur si “Yuzhdag”, por nuk dha hollësi të tjera.

Shpërthimi ishte aq i fortë sa shkrumboi edhe katër makina përreth. Sipas eksperteve ishte i ngjashëm me shpërthimin e 30 kg tritol.

Në veri të Sirisë, pranë kufirit me Turqinë u bombarduan 3 spitale, njëri prej të cilëve i “Mjekëve Pa Kufij”. CNN raporton se të paktën 22 persona kanë humbur jetën, 8 të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe dyshohet se janë vrarë, ndërsa numri i të plagosurve është mbi 40.

Organizata “Mjekë pa Kufij” akuzoi forcat qeveritare siriane për sulmin në spitalin e saj, ndërsa Turqia pretendon se spitali në Azaz u godit nga avionët ushtarakë rusë.

Sulmet ajrore vijnë në një kohë kur fuqitë e mëdha botërore firmosën javën e shkuar në Mynih marrëveshjen për armëpushim të përkohshëm.

Tv Klan