“Qyteti sharmant prej guri i Shqipërisë”, kështu përshkruhet Gjirokastra në një artikull të revistës së njohur të udhëtimeve “Islands”.
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës rekomandohet për arkitekturën osmane, rrugë me kalldrëm dhe padiskutim për kështjellën imponuese që pothuajse duket sikur është rritur natyrshëm nga shkëmbinjtë shkëmborë shqiptarë.
“Ndërsa shumë udhëtarë të zgjuar vijnë në Shqipëri për të përjetuar bukurinë e Mesdheut pa turma, nëse jeni të gatshëm t’i lini pas plazhet, mund të keni një qëndrim vërtet magjepsës dhe të bukur në qytetin e Gjirokastrës”, shkruhet ndër të tjera në artikull, të cilin e ka ndarë në rrjetet sociale edhe Kryeministri Edi Rama.
“Gjirokastra nuk është më vetëm një adresë në listën e siteve turistike shqiptare, por është destinacioni i një udhëtimi unik, që të jep ndjesinë sikur po ecën mbi historinë, nëpër kalldrëmet mes ndërtesave të gurta ku gëlon një jetë plot gjallëri, kulturë, aktivitete artistike, zeje, kulinari e jashtëzakonshme”, shkruan ndër të tjera kryeministri Rama duke iu referuar artikullit në “Islands”.
Në shkrim vlerësohet gjithashtu edhe kuzhina vendase e shijshme dhe e gatuar në shtëpi.
Tv Klan