Në Kishë kam gjetur shtëpinë shpirtërore dhe qetësinë

Moderatori i njohur Isli Islami ishte i ftuar këtë pasdite në programin “Rudina”, në Tv Klan. Ai ka treguar detaje interesante nga jeta e tij private, por edhe ajo profesionale.

Isli është i krishterë dhe prej vitesh është anëtar në Kishën Rilindja, në Tiranë. Ai në studio ka treguar se fillimet me besimin nisin që kur ka qenë i vogël dhe për asnjë moment nuk është larguar nga besimi.

Jam i krishterë dhe jam anëtar i Kishës Rilindja, që i vogël, që kur s’mbahet mend. Memoria ime shkon në klasë të parë, të dytë, që mbaj mend vajtjen për herë të parë në kishë dhe njohjen me besimin dhe që prej asaj kohe nuk jam shkëputur asnjëherë”.

I pyetur nga drejtuesja e emisioni, Rudina Magjistari për filimet e tij në besim, Isli u shpreh se ka shkuar fillimisht me motrën dhe në kishë ai ka gjetur shtëpinë e tij shpirtërore, por edhe qetësinë që vetëm besimi tek Zoti, sipas tij ta fal.

 “Në kishë kam shkuar me motrën time dhe nuk na ka udhëzuar askush, që të thuash në filan orë, ose në filan ditë do jeni atje. U gjendëm në kishën Rilindja një ditë dhe që prej asaj dite nuk jemi shkëputur asnjëherë. Kishte gjithmonë diçka, që më bënte të mendoja se nuk jam rastësisht në këtë vend, më dukje jeta shumë e bukur dhe shumë perfekte si koncept për t’u qenë e krijuar rastësisht. Në një jetë të vështirë, siç të gjithë e kanë sot, kush më pak e kush më shumë, në kishë kam gjetur realisht shtëpinë time, ashtu siç ne e kemi fizikën, por ajo është shtëpia shpirtërore. Çfarëdolloj problemi që të kesh, çfarëdolloj halli të të ketë rënë, çfarëdolloj mundimi mund të peshojë në zemrën tënde, unë kam gjetur aty qetësinë edhe dashurinë që vetëm besimi, Zoti na fal përmes besimit. Që prej asaj kohe nuk më ka shkëputur asgjë. Është pjesë e jetës, nuk mund të shihet si diçka e ndarë, çdo lloj përjetese që kemi, çdo lloj eksperience që kemi dhe çdo lloj mësimi që marrim nga jeta, sigurisht që e ndajmë me njëri-tjetrin, se jemi një familje”./tvklan.al