Opinion – Më 25 Tetor në orën 18:00 u bë publike nga “Zëri i Amerikës” letra e largimit të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare. Ky lajm erdhi tronditës në Tiranë. Ismail Kardare, ndoshta shqiptari më i njohur në Perëndim në atë kohë dhe një nga personalitetet e rëndësishme të jetës shqiptare, kishte kërkuar strehim politik në Francë.

Ai kishte refuzuar qëndrimin në Shqipëri duke ngarkuar me përgjegjësi drejtuesit komunist të kohës, duke nisur nga Ramiz Alia, Presidenti i Shqipërisë dhe gjithë kastën komuniste. Akti i strehimit politik ishte padyshim një nga goditjet më të rënda që regjimi komunist po merrte pas 2 Korrikut kur më shumë se 5000 persona ishin larguar nga Shqipëria duke u strehuar në selitë e ambasadave. Që nga 25 Tetori kur Kadare kërkoi strehim politik e deri më 8 Dhjetor kur filluan protestat e studentëve në Tiranë ishte një situatë ku goditjet vinin nga të gjitha anët. Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar më 28.10.2010 trajton pikërisht largimin e Kadaresë.

“Unë duhej të ikja. Sigurisht nuk mendova se duhet të kapërceja ndonjë mal apo liqen sepse nuk i kisha ato mundësi, por prisja një ftesë nga botuesi im. Do të dilte një libër i ri dhe unë ftesën e kisha bashkë me time shoqe. Njëra nga vajzat kishte kohë që bënte një stazh në Francë dhe gjithë puna ishte tek vajza e dytë. Erdhi botuesi im nga Franca vetëm për këtë gjë sepse e lajmëroi vajza imë që ishte atje. Në atë kohë unë përfitova nga një heqje vëmendje sepse Ramiz Alia do të shkonte në Amerikë dhe pati shthurje të vigjilencës”,tregon shkrimtari në një intervistë për “Opinion” lidhur me largimin. /tvklan.al