Ismail Kadare për zhillimet politike në vitin 2002 (Video Arkiv) – TV KLAN

Ismail Kadare për zhillimet politike në vitin 2002 (Video Arkiv)

Zhillimet politike, tensionet, kriza brenda Partisë Socialiste dhe mjaft probleme të tjera ishin pjesë e emisionit të realizuar më 14 Shkurt të vitit 2002 në emisionin “Opinion”.

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare ishte i ftuari i gazetarit Blendi Fevziu për të diskutuar lidhur me zhvillimet politike. Kadare vlerësoi rikthimin e Pandeli Majkos në krye të qeverisë në vitin 2002 si qëndrueshmëri politike.

“Në të vërtetë kam pasur një mëdyshje të vija të flisja apo jo sepse gjithë kjo gjendje e krijuar në Shqipëri nuk të krijon ndonjë dëshirë për të folur. Ka një mërzi, mbingopje, neveri dhe përçmim do thosha unë. Këtë nuk e kam ndjerë vetëm unë që jam shkrimtar apo intelektual, por e kanë ndjerë mijëra e mijëra shqiptarë kudo që janë. E gjithë kjo lojë dhe trillimet që bëhen këtu i kanë mërzitur të gjithë. Çdo popull do që të qeveriset dhe unë nuk mbaj mend një periudhë tjetër në vend pa një qeveri. Vullneti më ka sjellë sonte këtu, asnjë dëshirë nuk kisha, por ndjenja e detyrës si qytetar më bëri të vij. Krijimin e qeverisë sot unë nuk e prisja. Unë kam pasur pak njohje me kryeministrin Majko, për mua është gjë e mirë që u rikthye një kryeministër sepse gjëja më e keqe për një pushtet është paqëndrueshmëria politike. Kur çdo javë harrohen ata që ishin në skenën politike, nuk është mirë që të rikthehen gjithë kohën, por është mirë kur krijohet stafi i karrierës. Ne kemi nevojë për traditë institucionale. Unë nuk e prisja krijimin e qeverisë sot dhe as nuk më ka shkuar mendja se si mund të jetë kjo qeveri. Është krijuar një ide që dikush nuk do që Shqipëria të marrë frymë, të marrë veten. Njerëzit kanë të drejtë të mendojnë çdo gjë. Shqipëria doli vetë nga harta e Evropës për 40 vjet, gjatë komunizmit dhe kur populli shqiptar doli nga mjegulla ku qe zhytur krijoi telashe dhe shqetësim. Shqipëria vazhdon të jetë për fat të keq një vend i kërcënuar. Shumica e vendeve në Evropë kanë qenë të kërcënuar në historinë e tyre dhe s’ka përse të bëjë përjashtim Shqipëria. Shqipëria është një nga shtetet e pakta në Evropë për të cilin ka pasur një trakt të fshehtë për ta coptuar, në mënyrë fare cinike. Është një nga vendet e pakta që ka disa doktrina akademikësh të lartë që propozojnë se si është mirë të ndahet vendi. Nuk është fantazi kjo, kjo është një e vërtetë. Shqipëria u fshi nga harta e Evropës për një kohë të shkurtër, por nëse fashizmi do të triumfonte do fshihej fare siç u bë më 39-ën kur u shpall Mbretëri e Italisë. Ne duhet të mësojmë të shqyrtojmë vetveten, të nxjerrim mësime nga gabimet dhe të mësojmë të kritikojmë veten dhe në të vërtetë është bërë një hap i madh përpara. Mendoj se shqiptarët kanë marrë një mësim të mirë në këto javët e fundit që të bëjnë një ndryshim, unë nuk besoj se shqiptarët kanë ende respekt për partinë. Mërzia që është krijuar ka qenë nga rikthimi i fantazmës së partisë. Mbledhjet e komitetit dhe kryesisë së partisë duhet t’iu ketë ngjalluar një mall të kaluar nostalgjikëve, por shumicën e popullit shqiptar duhet ta ketë tmerruar sepse u ngjall një gjë e harruar që koha e kishte varrosur. Partia Socialiste është një parti e madhe, unë e kuptoj, por nuk ka të drejtë të uzurpoj jetën shqiptare”, tha Kadare.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

 

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione