Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, i përkthyer në 45 gjuhë është cilësuar edhe si një prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të shquar evropiane të shekullit të XX. Ai krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.

Edhe pse jetoi e mbijetoi duke qene shkrimtar në kohën e censurës së ashpër të realizimit socialist shqiptar, Kadare vlerësohet se iu shmang asaj filozofie në mënyrë të jashtëzakonshme me një disidence të heshtur. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, shkrimtari ka folur për letërsinë dhe jetën e tij.

“Unë jam nga një shtëpi e vjetër gjirokastrite, me rrënjë të vjetra në qytet. Nga ajo shtëpi jam unë. Shtëpia ka qenë e madhe, por në Gjirokastër zakonisht shtëpitë ishin të mëdha, kështu që vetvetiu shkriheshin këto dy nocione. Qytetarë gjirokastritë të mirëfillte do të thotë ndër të tjera, kishte dhe një shtëpi të madhe me një kronikë pak a shumë që e dinin të gjithë, me një lloj historie, me një lloj biografie, familja ime bënte pjesë në këto familje të vjetra”, tha Kadare.

Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike./tvklan.al