Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare dhe i asaj holandeze janë të vetmit që nuk janë dribluar këtë sezon

Mbrojtësi i kombëtares kuqezi Ardjan Ismajli ka qenë perfekt për Empolin në prapavijë, duke mos u dribluar asnjëherë nga kundërshtarët. Si ai, vetëm lideri i repartit difensiv të Liverpulit, Virxhil van Dajk.

Sipas të dhënave të përpunara të sofascore për 5 kampionatet kryesore të Europës, performanca e lojtarit kuqezi dhe atij të “tulipanëve” është më e mira deri më tani.

Ismajli ka luajtur në 14 sfida të Serie A dhe 1 në Kupën e Italisë, ku nuk është ndëshkuar me asnjë karton të verdhë apo të kuq. Në total, nga nisja e sezonit, 27 vjeçari ka luajtur në fushë 1104 minuta.

Ai është një nga titullarët e padiskutueshëm të skuadrës së Empolit. Në pesëshen e mbrojtësve te pakalueshëm të kontinentit janë edhe Radu Dragushin, Uilliam Saliba i Arsenalit dhe Ezri Konsa i Aston Vilës.

Klan News