Isuf Kalo: Enver Hoxha aktronte, kishte në dorë gjëra që i ka Zoti

Isuf Kalo: Enver Hoxha aktronte, kishte në dorë gjëra që i ka Zoti

22:59 11/09/2019

Isuf Kalo, ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, tregon ka qenë Hysni Kapo që e thërriti në shtëpi dhe i njoftoi vendimin se do t’i shërbente diktatorit të asaj kohe.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Isuf Kalo u shpreh se fillimisht ishte vetëm ai mjeku që kujdesej për të. Nuk qëndronte përditë me Enver Hoxhën, por bënte takime të shpeshta për shkak se vuante nga diabeti.

Por në vitin 1974 kur Hoxha pësoi infarkt, u ngrit një ekip me disa mjekë, që kishte dy funksione. I pari ishte për të ndjekur ecurinë e shëndetit të ish-diktarorit dhe funksioni i dytë që ky ekip të ndërhynte menjëherë kur kishte situata emergjente.

Isuf Kalo e cilëson Enver Hoxhën si një njeri me shumë pushtet, aq sa thotë se “kishte në dorë gjëra që i kishte vetëm Zoti”. Por, e përshkruan edhe një aktor shumë të mirë, në jetën politike dhe atë publike.

Isuf Kalo: Në Korrik ’73, Hysni Kapo më thirri në shtëpi bashkë me Profesor Fejzi Hoxhën dhe më tha që partia ka vendosur të të japë një detyrë shumë të rëndësishme, jetësore, që ti të kujdesesh për shokun Enver. Dhe tha që po e bëre mirë, partia dhe populli nuk do ta harrojë kurrë.

Blendi Fevziu: Dhe ju u vendosët si mjek personal pranë Enver Hoxhës? Që do të thotë, ju e takonit personalisht çdo ditë Enver Hoxhën?

Isuf Kalo: Jo absolutisht. Enver Hoxha kishte relacione të caktuara me sëmundjen. Ai nuk donte që të jetonte për diabetin, por mjekonte diabetin për të jetuar, për të vazhduar funksionet e tij. Ai konsultohej shumë herë sepse ne e kërkonim, jo sepse kërkonte ai. Por e dinte që unë isha përgjegjës për të, dhe herë pas here kaloja që e kontrolloja, bisedoja me të.

Blendi Fevziu: Por ndërkohë ju ishit përditë në shtëpinë e tij dhe pranë tij?

Isuf Kalo: Jo absolutisht, sepse unë e kam shkruar dhe në libër, që më ka bërë një nder të madh. Më ka thënë që ti je djalë i ri dhe nuk ke nevojë të rrish pas meje gjithë kohës. Shiko gjeje vetë mënyrën se si të bësh zhvillimin tënd nga ana profesionale dhe çështë e vërtetë, kjo më krijoi mua hapësirë që u mora dhe me punë shkencore që mora gradat. Por kjo u bë e mundur edhe në sajë të një fakti, që pasi ai kaloi infarktin e miokardit u krijua një ekip shëndetësor, pati një ndryshim substancial nga mënyra e kujdesit shëndetësor, nga një mjek i vetëm tek një ekip që kishte dy funksione. Një për të ndjekur gjithë ecurinë e sëmundjes, por kishte dhe funksion të urgjencës.

 Blendi Fevziu: Pra, ky ekip jetonte pranë Enver Hoxhës në vilën e tij?

Isuf Kalo: Në një vilë afër vilës së tij. Kjo u krijua si ekip i plotë në kohën që pësoi infarktin dhe pastaj u strukturua që do ishte ndjekëse e tij dhe në shtëpi dhe në punë. Në vitin ’74 u kthye nga vila 4 dhe erdhi në Bllok.

Blendi Fevziu: Dhe për sa kohë ju keni ndejtur në Bllok dhe pranë tij thuajse përditë?

Isuf Kalo: Koha më e gjatë që kam ndjejtur ka qenë gjatë kohës që bëri infarktin. Unë kam ndejtur në një dhomë afër tij bashkë me Fahrin Bufin, ndihmës mjekun e tij. Ne ishim në gatishmëri, ishim skalioni i parë.

Blendi Fevziu: A keni pasur gjatë kësaj kohe momente emergjence ku duhet të ndërhynit?

Isuf Kalo: Po po. Patjetër! Dhe kjo ishte arsyeja që ishim aq pranë. Dhe një emergjencë e tillë më kujtohet ka qenë në Janar ’74. Ai e vlerësoi shumë faktin që unë ndërhyra shpejt edhe nuk prita ekipin. Dhe ai këtë koncept kishte për mjekun, që mjeku duhet të marrë vendime.

Blendi Fevziu: A krijohet një relacion i afërt mes mjekut dhe një pacienti permanent që e ndjek për rreth 12 vjet?

Isuf Kalo: Patjetër! Unë jam ndjerë i përkëdhelur në këtë rast, në mënyrën se si ai më ka pranuar, se si ka dialoguar, se si ka komunikuar, si më ka besuar dhe thashë krijohet një afërsi sepse ai ishte njeri që ishte mitizuar, ishte dikush që i thoshe s’është si gjithë të tjerët, dhe në të vërtetë ai nuk ishte si gjithë të tjerët.

Blendi Fevziu: Ç’domethënë nuk ishte si gjithë të tjerët?

Isuf Kalo: Sepse kishte në dorë disa gjëra që i ka vetëm Zoti. Dëshirat e tij dhe vendimet e tij ishin urdhër.

Blendi Fevziu: Ai mund të zbatonte çdo dëshirë, çdo mendim të tij, pa pasur nevojë të thoshte si është e vërteta?

Isuf Kalo: Ishin shumë çështjen që kalonin patjetër në vendimmarrjen e tij.

Blendi Fevziu: A e keni dashur ju Enver Hoxhën?

Isuf Kalo: Fjala dashuri është e madhe. Por a e kemi respektuar do thoja unë. Unë e kam respektuar sepse ai rrezatonte autoritetet, dinjitet si person. Nuk ishte njeri që ankohej, qahej, merrej me gjëra të vogla. Ishte mjaft serioz në dialog. Por ai dhe aktronte. Aktronte sepse ai qe koshientë që neve duke qenë se ai ishte ai që ishte, ne propozonim dhe masa që jo domosdo ishin në përputhje për rrezikshmërinë dhe problemin. Por donim të ishim brenda.

Blendi Fevziu: E dini sa e rrezikshme do ishte nëse ju do gabonit?

Isuf Kalo: Ne i trembeshim sepse atëherë gabimi nuk quhej njerëzor, quhej politik, quhej armiqësor. Pra gjëja më e pamundur në mjekësi është pagabueshmëria. Sepse është një shkencë jo ekzakte. Dhe pikërisht në këtë kontekst ishte tensioni jonë.

Blendi Fevziu: Ç’domethënë aktronte? Çfarë bënte?

Isuf Kalo: Ta zëmë një moment me temperaturë. Për të qenë brenda, ne i jepnim antibiotik. Ai revoltohej dhe ti nuk e merrje vesh revoltohej vërtetë apo revoltohej sepse donte të dinte deri në ç’masë ishin të domosdoshme.

Blendi Fevziu: A ishte aktrimi pjesë e punës së përditshme të Enver Hoxhës?

Isuf Kalo: Enver Hoxha aktrimin e kishte art. Edhe në kontakt me popullin kur dilte. Nganjëherë më dukej sikur edhe në rolin që bënte si gjysh, që aktronte me kalamaj, donte të linte një imazh pas që mund të ishte e natyrshme. Thashë, mund të jem i padrejtë në këtë pikë. Por mua nganjëherë më dukej që po punonte të linte një arkivë ku ai të kishte këto veti. /tvklan.al

Të ngjashme