Një 27-vjeçare shqiptare ka mbetur e plagosur pasi u qëllua me kaçavidë nga bashkëshorti i saj, i cili tentoi ta vriste. Ngjarja ka ndodhur në Sarteano të Sienas në Itali, mbrëmjen e djeshme. Lajmi është bërë i ditur sot nga mediat italiane, të cilat raportojnë se autori, një 36-vjeçar shqiptar qëlloi ish-gruan kur ajo i shkoi në shtëpi për të marrë djalin e tyre 4-vjeçar.

Fëmija po kalonte disa orë me babain sipas ligjit, dhe më pas duhet ta merrte e ëma pasi ka fituar të drejtën për të mbajtur djalin. Në këtë moment lindi edhe debati mes tyre. 36-vjeçari goditi me kaçavidë në krah dhe në gjoks ish-bashkëshorten, duke e lënë të plagosur. U desh ndërhyrja e fqinjëve, të cilët dëgjuan të bërtiturat dhe ndërhynë duke ndalur burrin. Ata e mbajtën shqiptarin deri sa në vendngjarje mbërriti policia dhe e arrestoi.

Ndërsa 27-vjeçarja është dërguar në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjekët thanë se gruaja shpëtoi pasi goditjen me kaçavidë nuk e mori në pozicion vdekjeprurës, si dhe falë ndërhyrjes së shpejtë të fqinjëve që reaguan në kohë.

/tvklan.al