Nga e marta pas plotësimit të disa kushteve edhe karantinë 10 ditore

Ministrja Olta Xhaçka ka konfirmuar zyrtarisht vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë italiane qe ka ndalur duke filluar nga data 26 Tetor udhëtimet për qëllime turistike nga shtetasit që kishin ndërmend të niseshin nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Libani, Azerbajxhani, Moldavia, Brunei dhe Armenia.

Udhëtarët nga këto shtete mund të hyjnë në Itali vetëm për motive pune, shëndeti, studimi, urgjence. Do të lejohen të hyjnë në territorin italian duke nisur nga kjo e martë vetëm familjarët e ngushtë të shtetasve shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi të rregullt në Itali, persona të cilët kanë marrëdhënie emocionale të provuara dhe të qëndrueshme me shtetase që janë rezidente në Itali, sportistët, teknikët dhe gjykatës garash si dhe shoqëruesit e atyre që marrin pjesë në aktivitete sportive olimpike, paraolimpike të certifikuara dhe me interes kombëtar.

Shtetasit që udhëtojnë nga Shqipëria drejt Italisë, pavarësisht nga nënshtetësia dhe që kanë qëndruar aty më shumë se 120 orë do t’i nënshtrohen edhe një vetë izolimi 10 ditor, në fund të të cilit do kryejnë edhe një tampon molekular apo antigjenik. Edhe këto kategori personash qe lejohen të udhëtojnë drejt Italisë duhet të plotësojnë paraprakisht formularët online  “Passenger Locator Form” në format dixhital ose në kopje fizike.

Ata duhet t’u paraqesin autoriteteve kufitare italiane testin me rezultatin negativ molekular ose antigjenik, të kryer 72 orë përpara udhëtimit dhe më pas do i nënshtrohen izolimit në mirëbesim prej 10 ditësh në adresën e deklaruar në “Passenger Locator Form”.

Pas dhjetë ditësh karantine ata do t’i nënshtrohen testit molekular ose antigjenik, për t’i dhënë fund izolimit.

Këto masa vijnë si pasojë e rritjes së rasteve me Covid-19 në vendin tonë janë të vlefshme deri më datë 15 Dhjetor 2021.

Klan News