Samiti i të premtes në Paris mes liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë rrezikon të dështojë. Shkak janë bërë kritikat e ashpra që presidenti francez Emanuel Makron i bëri qeverisë italiane pas vendimit për mbylljen e porteve për emigrantët ilegalë. Shefi i Elizesë e quajti të martën qeverinë e Xhuzepe Kontes, “cinike dhe të papërgjegjshme”.

Më i ashpri në reagim ishte zv/kryeministri italian Mateo Salvini, i cili kërkoi që Konte të mos shkojë në takim me Merkelin dhe Makronin. Ministri i jashtëm italian, Enco Moavero Milanezi, thirri për sqarim ambasadorin francez në Romë. Ai i bëri thirrje qeverisë franceze të kërkojë ndjesë për etiketimet. Sipas kryediplomatit italian, refuzimi i ankorimit anijes me mbi 600 emigrantë ilegalë nga autoritetet italiane kishte për qëllim të zgjonte reagimin e Bashkimit Europian që e ka lënë të vetme Italinë në përballimin e kësaj krize.

Në mbështetje të Italisë për këtë rast doli kancelarja gjermane Angela Merkel. Përmes një deklarate për shtyp, shefja e qeverisë së Berlinit i bëri thirrje Brukselit për reagim të menjëhershëm në mbështetje të Italisë.

Fundjavën e kaluar, Italia mbylli portet për një anijen Akuarius me mbi 600 emigrantë të paligjshëm në bord, të nisur nga brigjet libiane. Pritjen e tyre e mori përsipër Spanja.

Tv Klan