Synojnë fitoren në takimin ndaj Uellsit, vetëm tri pikët bëjnë punë për zvicrën dhe Turqinë

Italia kërkon fitoren e tretë ndaj Uellsit në Romë pas dy sukseseve ndaj Turqisë dhe Zvicrës në Grupin A.

“Të kaltrit” kanë befasuar Evropën me paraqitjet e tyre dhe shifrat e tregojnë këtë. Në 10 takime nuk kanë pësuar asnjë gol ndërsa kanë prodhuar 31 të tillë. Kanë 29 ndeshje pa u mundur dhe nëse vazhdojnë kështu edhe ndaj “Dragonjve”, atëherë do të barazojnë rekordin e vendosur nga kombëtarja e drejtuar nga Vitorio Pozzo.

Trajneri Roberto Mancini e ka bërë të qartë se ai do të marrë maksimumin nga ekipi, por disa nga djemtë do t’i lërë të pushojnë. Sfida të vështira e presin skuadrën në vazhdim. Tri takimet e fundit ndërmjet “Të kaltërve” dhe “Dragonjve” të luajtura në Itali kanë prodhuar 11 gola, të gjithë të shënuar nga vendasit.

Uellsi shkon në stadiumin “Olimpiko” me katër pikë të grumbulluara nga takimet e tyre në Baku. Një barazim u duhet për të siguruar kualifikimin, ndërsa nëse fitojnë, atëherë marrin kryesimin e Grupit A.

Nëntë takimet e fundit mes kombëtareve asnjëherë nuk kanë përfunduar në barazim. Por “Dragonjtë” nuk njohin humbje në 7 takimet mes tyre të fundit. Takimi tjetër i Grupit A që do të luhet po në orën 18:00 në Baku është ai mes Zvicrës dhe Turqisë.

Helvetët e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit kanë marrë vetëm 1 pikë në dy takimet e luajtura. Ata barazuan me Uellsin dhe u mundën nga Italia. Por kanë shpresë për vendin e dytë nëse fitojnë e Uellsi humbet, e nëse kanë golavarazh më të mirë.

“Gjysmëhënat” kanë zhgënjyer, pasi kanë zero pikë. Shpresa e tyre e vetme është fitorja, e mundësia që të dalin një ndër katër vendet e treta më të mira. Por në dy takime kanë pësuar 5 gola dhe nuk kanë shënuar asnjë. Në Baku, do të kenë mbështetjen e tifozerisë vendase.

Klan News