Italia do të presë samitin e liderëve të G20



Italia do të presë samitin e liderëve të G20

21:58 28/10/2021

Grupi i G20 do të bëjë thirrje për të kufizuar ngrohjen globale

Këtë fundjavë Roma do të presë Samitin e Udhëheqësve të G20 ku do të jenë të pranishëm liderët më  të shquar botërorë.

Grupi i 20 kombeve më të industrializuara do të bëjë thirrje për veprime të menjëhershme për të kufizuar ngrohjen globale me 1,5 gradë Celsius.

 Por, delegacionet që përgatisin samitin nuk kanë vendosur ende nëse G20-a do të angazhohet gjithashtu për arritjen e një qëllimi të përbashkët për zero emetimet neto të gazrave serë ose neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050, sipas një drafti të deklaratës përfundimtare të samitit.

Sipas kryeministrisë italiane, në ditën e parë liderët do të diskutojnë ekonominë globale dhe shëndetin global. Në ditën e dytë, udhëheqësit do të takohen për sesione mbi ndryshimet klimatike, mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Liderët pritet të marrin angazhime të reja dhe të fokusohen në një përgjigje të shpejtë epidemike për të siguruar barazi dhe akses në kujdesin shëndetësor.

Përpara samitit është forcuar edhe siguria në Romë. Njëzet vite pasi dhuna shkatërroi një samit të G8-s në qytetin verior të Xhenovës dhe tri javë pasi protestat e koronavirusit dolën jashtë kontrollit në kryeqytetin italian, mikpritësit e G20-s kanë zgjedhur një qasje rigoroze të sigurisë. Sipas raportimeve, disa mijëra agjentë do të jenë në rrugë.  

Klan News








Të ngjashme