Rritja e rasteve dhe përhapja e variantit anglez ka vendosur në zonën e kuqe 10 rajone italiane

Qeveria e Italisë ka urdhëruar mbylljen e shkollave, restoranteve dhe dyqaneve në pjesën më të madhe të vendit.

Kufizimet erdhën për shkak të përhapjes së variantit anglez i cili ka shtuar numrin e rasteve duke ezauruar një pjesë të madhe të shtretërve nëpër spitale. Bllokada do të zgjasë deri për festën e Pashkës, në datat 3, 4 e 5 prill.

Në këto data do të kufizohet dalja për vetëm 2 persona nga e njëjta familje së bashku me fëmijët. Në listën e zonave të kuqe, autoritetet kanë futur së fundmi edhe Milanon dhe gjithë rajonin e Lombardisë. Arrijnë kështu në 10 rajonet italiane që vendosen në zonën e kuqe. 24 orëshin e fundit Italia shënoi nivelin më të lartë të infektimeve për këtë vit me mbi 25 600 raste, duke u renditur kështu në krye të kontinentit.

Më shumë se 100,000 njerëz me koronavirus kanë vdekur në Itali që kur epidemia përfshiu vendin një vit më parë. Rajone të tjera përfshirë Toskana dhe Liguria pritet të kalojnë në zonën me rrezik të mesëm portokalli, me të gjitha dyqanet, muzetë, baret dhe restorantet të mbyllura.

Kjo e lë vetëm Siçilinë në kategorinë e ulët të të verdhës, dhe Sardenjën në kategorinë e re të të bardhës me asnjë kufizim.

Qeveria e re e Draghit shtrëngoi kufizimet për zonat e kuqe në fillim të këtij muaji përfshirë jo vetëm mbylljen e bareve, restoranteve, dyqaneve dhe shkollave të mesme, por edhe shkollave fillore.

Italia filloi fushatën e saj të vaksinimit të koronavirusit në fund të dhjetorit, por, si kudo tjetër në Evropë, ajo po ecën mjaft ngadalë për shkak të vonesave.

Klan News