Dështon edhe raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit të Italisë

Ligjvënësit italianë dështuan edhe në raundin e tretë për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, pasi asnjë kandidat nuk gëzon konsensusin e forcave politike për të zëvendësuar Presidentin në largim Sergio Mattarella.

Gara për postin prestigjioz shtatëvjeçar mbetet është e hapur dhe asnjë nga partitë politike nuk ka vota të mjaftueshme për të mbështetur kandidatin e tyre, që do të thotë se nevojitet një marrëveshje kompromisi.

Raund i katërt i votimit, i cili fillon të enjten në orën 10:00, pritet të jetë më pak i parashikueshëm sepse pragu i kërkuar për zgjedhjen e kreut të shtetit është dukshëm më i ulët.

Kryeministri Mario Draghi mbetet në lojë për postin, por udhëheqësit politikë shqetësohen se promovimi i tij si President mund të sjellë shpërbërjen e koalicionit qeverisës dhe të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Do të kishim javë konfuzioni nëse Draghi do të largohej nga qeveria…”, tha të mërkurën kreu i Ligës, Matteo Salvini.

I vetmi që mbështet publikisht kandidaturën e Draghit është Enrico Letta kryetari i Partisë Demokratike të qendrës së majtë. Një burim i PD-së tha se Letta do të pranonte ose Draghin ose Pier Ferdinando Casini, ish-kryetarin e Dhomës së Ulët.

Presidenti është një figurë kyçe në Itali. Ai ka fjalën e fundit në emërimin e Kryeministrit dhe shpesh thirret për të zgjidhur krizat politike në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës.

Të mërkurën, 1,009 ligjvënës dhe delegatë rajonalë hodhën në kuti vota bosh, siç bënë edhe në dy raundet e mëparshme të votimit, një mënyrë për të fituar kohë ndërsa udhëheqësit e tyre negociojnë. Një kandidat i suksesshëm ka nevojë për dy të tretat e shumicës në tre raundet e para. Nga raundi i katërt pragu ulet në një shumicë absolute, ose 505 vota.

Kjo do të thotë se është e mundur që njëra palë mund të përpiqet të shtyjë një kandidat duke shpresuar se, në votimin e fshehtë, ata mund të fitojnë mbështetjen e ligjvënësve të palidhur ose disa vota nga pala tjetër.

Klan News