13 rajone janë vendosur në zonën e kuqe deri për Pashkë

42 milionë italianë tanimë janë futur në një tjetër karantinë. Për shkak të numrit në rritje të infeksioneve një pjesë e madhe e rajoneve në Itali janë rimbyllur. Në zonat në fjalë bëjnë pjesë edhe Lazio dhe kryeqyteti Roma, Lombardia me Milanon, Piemonti, Veneto dhe Emilia-Romagna Friuli Venezia Giulia, Provinca e Trentos dhe Molise. 

Aty mbyllen të gjitha shkollat ​​dhe qendrat ditore si dhe dyqanet. Restorantet lejohen të ofrojnë vetëm ushqime me porosi. Udhëtimet kufizohen rreptësisht. Njerëzit lejohet të dalin nga shtëpia vetëm për nevoja të domosdoshme, me përjashtim të atyre që u duhet të shkojnë punë ose kanë raste urgjente.

Roma ka planifikuar që të nisë fuqishëm fushatën e vaksinimit. Sipas autoriteteve deri në shtator do të imunizohen të paktën 80% e popullsisë. Ky është qëllimi i planit kombëtar të vaksinimit të shpallur nga qeveria. Për realizuar atë duhet që të vaksinohen të paktën 500,000 vetë në ditë, pra rreth tri herë më shumë sesa ishin vaksinuar në ditë deri tani 170,000.

Përhapja e variantit anglez ka shtuar gjithnjë e më shumë numrin e të shtruarëve në repartet intensive sidomos në rajonet veriore të vendit.

Për festat e Pashkëve, nga 3 deri më 5 Prill, masat e parashikuara për zonën e kuqe do të zbatohen në të gjithë territorin kombëtar. Në zonën portokalli për vizitat në shtëpitë e miqve dhe të afërmve që jetojnë në të njëjtën komunë, do të lejohet lëvizja nga ora 5 e mëngjesit deri në 22 të mbrëmjes, maksimumi në dy persona përveç fëmijëve nën 14 vjeç . Nuk lejohet lëvizja në territoret ku zbatohen masat e vendosura për zonën e kuqe.

Sardenja është i vetmi vend i cili ndodhet në zonën e bardhë. Për tre javë restorantet do të qëndrojnë të hapura deri në 11:30, ndërsa teatrot dhe palestrat janë gati të rihapen. E gjithë Italia numëron 3.2 milion të infektuar dhe 102 mijë kanë humbur jetën qëkur pandemia u përhap.

Klan News