Epidemiologët kanë bërë të ditur se varianti britanik do të bëhet më dominues deri në Mars

Një pjesë e madhe e Italisë tanimë është bërë zonë e kuqe dhe portokalli e errët për shkak të rritjes së rasteve me variante të reja të koronavirusit.

Në Brescia, situata mbetet kritike pasi spitalet janë afër kolapsit dhe po dërgojnë disa pacientë në struktura të tjera në rajon, të tilla si Bergamo dhe Kremona.

Cecina është kthyer në zonë të kuqe, po ashtu edhe Livorno si dhe katër komuna në Lazio. Problematike është gjendja edhe në Bolzano dhe Trento ku numri i të shtruarëve në repartet intensive ka kaluar normën.

Varianti britanik tanimë është përhapur edhe në Sardenja dhe për këtë arsye autoritetet e kanë kthyer në zonë të kuqe. Në Pescara, varianti anglez po përhapet gjithnjë e më shumë duke rritur shkallën e të infektuarëve.

 Mariastella Gelmini ministrja për Çështjet Rajonale dhe Autonomive do të bëjë një takim me autoritetet lokale për të shmangur kaosin dhe humbjet ekonomike, të restoranteve dhe bareve.

Ministria e Shëndetësisë mohoi hapjen e gjithë aktiviteteve si palestra, pishina, etj, ndërkohë që për kinema dhe teatro ekziston një mundësi për muajin Prill. Për Komitetin e ekspertëve italianë, masat duhet të mbahen të paktën deri për festat e Pashkëve, përfshirë zonat e kuqe që përfshijnë  bashki dhe territore specifike, ku zbatohen karantina.

Lombardia dhe Piemonte vijojnë që të mbeten ndër rajonet më të goditura. Nga testimet e fundit, rreth 30% të pozitiviteteve të reja janë nga varianti anglez i virusit, dhe me këtë ritëm virologët mendojnë se ky variant do të jetë dominant në Itali brenda Marsit.

Aktualisht Italia numron më shumë se 2.8 milion të infektuar si dhe mbi 96 mijë kanë humbur jetën nga Covid 19.

Klan News