Vihet në karantinë një hotel në Kanarje

Koronavirusi prek edhe Kroacinë. Një i ri, i cili kishte vizituar Milanon disa ditë më parë, rezultoi pozitiv ndaj testeve. Rasti u konfirmua nga Kryeministri Andrej Plenkoviç.

“Pacienti është në Zagreb, në klinikën infektive. I riu ka shfaqur simptoma të lehta dhe është futur në izolim. Kushtet e tij për momentin janë të mira”.

Dy rastet e para janë konfirmuar edhe në Austri, ku dy 24-vjeçarë, njëri prej të cilëve nga rajoni italian i Lombardisë, janë izoluar në spitalin e Insbrukut.

Një mjek italian, i cili rezultoi pozitiv ndaj testeve të koronavirusit, çoi në futjen në karantinë të një hoteli në ishujt Kanarje në Spanjë, ku tashmë analizave do t’u nënshtrohen rreth 1 mijë vizitorë që ndodhen aty.

Numri i viktimave të koronavirusit në Itali nuk ka ndryshuar gjatë kësaj të marte dhe aktualisht është 7. Numri i të infektuarve ka arritur në 287. Dy rastet e para janë regjistruar një turiste nga Bergamo në Siçili dhe një biznesmen i sapo kthyer nga Singapori në Toskanë. Paniku ka detyruar banorët e Milanos të braktisin të gjitha ambientet publike, madje edhe metrotë, ku është bërë normale të mos shohësh askënd nëpër stacione.

Frika nga koronavirusi po nxit edhe dhunë raciste ndaj aziatikëve. Kjo video që qarkullon në rrjetet sociale shfaq dhunën e ushtruar nga një italian ndaj një filipinasi. Italiani e qëllon atë pasi i kërkon të largohet për të mos përhapur virusin, duke menduar se ishte kinez.

Mediat italiane shkruajnë se masave të forta kundër përhapjes i është nënshtruar edhe aktori i famshëm, Tom Kruis, i cili është detyruar të mbyllet në një hotel në Venecia. Qeveria italiane ka vendosur 283 zona të kuqe kundër përhapjes së virusit që mbrohen me forca policie e ushtrie, shumica e të cilave ndodhen në Lombardi.

Nga frika e përhapjes së koronavirusit, disa vende të rajonit si Serbia, Bosnja, Kroacia, por deri edhe Izraeli e Irlanda kanë këshilluar shtetasit e tyre të mos udhëtojnë drejt Italisë.

Kompania ajrore Bulgaria Air njoftoi anulimin e fluturimeve drejt Italisë deri më 27 Mars. Udhëtarët që kanë prerë biletat do të kompensohen. Ndërsa Kuvajti ka bllokuar të gjitha fluturimet drejt Italisë. Pas Kinës dhe Koresë së Jugut, Italia është vendi i tretë në botë nga numri i të prekurve.

Edhe zv/ministri iranian i shëndetësisë rezultoi pozitiv ndaj testeve të koronavirusit, pasi u shfaq në konferencë për shtyp duke fshirë djersët nga temperatura e lartë. Në këtë vend kanë ndërruar jetë 16 të infektuar. Aktualisht numërohen 2704 viktima në gjithë globin, mbi 80 mijë të infektuar dhe afro 28 mijë të shëruar.

Tv Klan