Italia debuton me fitore në kampionatin Europian të 17-vjeçarëve. Kampionët në fuqi të kontinentit triumfuan në stadiumin “Niko Dovana”, duke marrë maksimumin përballë Republikës Çeke. Axurrët fituan 2-1, sfidë e vulosur që në pjesën e parë falë cilësive të dy sulmuesve kryesorë.

Mesfushori Luongo dhuroi asiste tek të dy golat e shënuar nga shokët e skuadrës, Inasjo dhe Arena, të cilët shënuan në harkun e katër minutave lojë.

Gola që i dhanë qetësinë skuadrës italiane që në fraksionin e dytë menduan më shumë për të menaxhuar avantazhin. Çekët arritën që të shënonin dhe të ngushtonin avantazhin, por që vlejti vetëm për statistikë, me Italinë që merr 3 pikët dhe kreun e grupit B. Vetëm barazim në takimin tjetër mes Anglisë dhe Belgjikës me shifrat 1-1.

Anglezët e nisën më mirë sfidën dhe kaloi në avantazh që në minutën e 12-të me golin e Alehandro Gomes. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për “Tre Luanët”. Në fraksionin e dytë, Belgjika reagoi dhe barazoi rezultatin në minutën e 49-të me një eurogol nga goditja e dënimit të Fernandez.

Belgjika ishte pranë përmbysjes në disa raste, por nuk ia doli të shënojë sërish në takimin e zhvilluar në Rrogozhinë. Edhe Anglia krijoi mundësi të mira, por të dyja skuadrat nuk arritën të gjenin rrjetën në minutat e mbetura dhe ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

Ndeshja e radhës, Anglia do ta zhvillojë ndaj Italisë në “Egnatia Arena”, në orën 20:30. Ndërsa Belgjika do të përballet me Çekinë, në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 18:00.

Klan News