Të kaltrit po kalojnë një formë mjaft të mirë, Zvicra e Xhakës dhe Shaqirit kërkon t’i befasojë

Italia do të përballet me Zvicrën në takimin e dytë të Grupit A në stadiumin “Olimpiko” në orën 21:00.

“Të kaltrit” bindën në fitoren e arritur ndaj Turqisë me rezultatin 3-0, duke treguar se janë një skuadër që duhen patur kujdes. Tani ata kanë nevojë vetëm për 1 pikë që të mund të sigurojnë kualifikimin.

Italia ka nëntë fitore radhazi e do të synojë që të arrijë të dhjetën, për herë të dytë në histori dhe të parën në kualifikuese.

E veçanta është se ata e kanë ruajtur portën e paprekur në këto takime.

Një ndihmë të madhe për “të kaltrit” do të jetë edhe fakti që ata do të luajnë në shtëpinë e tyre, në stadiumin e Romës.

Ndërkohë që Zvicra e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit kërkon fitoren e parë pas barazimit të marrë kundër Uellsit.

Zvicra ka fituar vetëm dy nga 14 sfidat e Evropianit, ndërkohë që janë mundur vetëm një herë në 15 takimet e fundit në këtë kompeticion, përfshirë kualifikueset.

Pesë vite më parë, ata u eliminuan në të gjashtëmbëdhjetat nga Franca, ndërkohë që tri herë nuk kanë arritur që të dalin nga faza e grupeve.

Duhet thënë se në 3 ndeshjet e fundit që helvetët kanë pasur kundër “të kaltërve” në të gjitha kompeticionet, ata kanë barazuar.

Takimi tjetër i grupit do të jetë ai i orës 18:00 midis Turqisë dhe Uellsit në stadiumi e Bakut, “Olimpik”.

“Gjysmëhënat” nuk mund t’i lejojnë vetes të humbin, ndërkohë që ndaj Uellsit hera e fundit që janë mundur ka qenë në vitin 1981.

“Dragonjtë” kanë një pikë të marrë nga takimi i parë dhe psikologjikisht ndihet më të qetë.

Klan News