Përveç Shqipërisë qytetarët e rajonit duhet të bëjnë tamponin

Rritja e numrit të të infektuarve ditor në Itali ka bërë që autoritetet shëndetësore të marrin masa të reja. Ministri i shëndetësisë italiane, Roberto Speranza ka njoftuar se të gjithë turistët që kthehen nga 4 vendet mesdhetare,  Spanja, Greqia, Kroacia dhe Malta do t’u bëhet tamponi i detyrueshëm.

Po ashtu Kolumbia edhe është shtuar në listën e vendeve për të cilat ndalohet hyrja dhe tranziti. Gjatë 24 orëve të fundit vendi raportoi gati 500 raste të reja dhe 10 vdekje, shifra dy herë më të larta se sa shifrat që ishin në muajin Qershor.

“Sapo kam nënshkruar një rregullore të re, e cila parashikon teste molekulare ose antigjenike, që do të kryhen me një shtupë, për ata që vijnë nga Kroacia, Greqia, Malta dhe Spanja. Përveç kësaj, Kolumbia është shtuar në listën e vendeve për të cilat ndalohet hyrja dhe tranziti. Ne duhet të vazhdojmë në vijën e maturisë për të mbrojtur rezultatet e arritura muajt e fundit me sakrificën e të gjithëve.”

Mediat italiane raportojnë se mbi 200 të rinj që janë kthyer nga këto vende kanë rezultuar të infektuar nga Covid-19. Autoritetet u bëjnë apel kryesisht të rinjve që të respektojnë rregullat. Pasi sjelljet e tyre jo të sigurta mund të rrezikojnë që vendi të përjetojë makthin e muajve të dimrit.

Me rritjen e rasteve të infektimit, qeveria po mendon për masa më kufizuese edhe për klubet, veçanërisht në funksion të 15 Gushtit kur italianët nisin masivisht pushimet, por është një përplasje me të paktën gjysmën e qeveritarëve. Shkollat në Itali pritet të hapen në muajin Shtator. Autoritetet edhe në Lombardi që ishte rajoni më i goditur nga koronavirusi kanë vendosur se mësimi për kopshtet nis më 7 Shtator ndërsa për shkollat më 14 Shtator.

Klan Plus