Edhe Gjermania do të rikthejë transportit publik, por maskat me detyrim

Pas uljes së numrit të viktimave tani Italia ka kaluar në fazën e dytë, atë të lehtësimit të masave izoluese. Qeveria italiane po diskuton rikthimin në punë të një pjesë të shoqërisë dhe disa prej sektorëve që qëndrojnë mbyllur prej 10 Marsit.

Italia do të nisë lehtësimet e para të karantinës nga data 27 Prill, dhe pas datës 4 Maj do të shqyrtohet mundësia e hapjes së disa qyteteve. Do të vihen në punë fillimisht sektorët e prodhimit, në javën e dytë të Majit do fillohet me dyqanet dhe në javën e tretë baret dhe restorantet.

Hapja e meshave publike, varrimet, pagëzimet dhe martesat është propozuar të zhvillohen duke nisur nga 3 Maji, por pjesëmarrësit duhet të respektojnë rregullat e distancimit social dhe të jenë të pajisur me maska dhe doreza. Italia aktualisht numëron 25 mijë të vdekur dhe 187 mijë të inektuar.

Ndërkaq në Gjermani qeveria ka lëshuar një urdhër që të gjithë njerëzit që zgjedhin transportin publik duhet të përdorin me detyrim maskat dhe dorezat si dhe të ruajnë distancimin social. Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka rekomanduar vendosjen e tyre javën e kaluar kur lehtësoi masat e izolimit. Në vend numërohen 150 mijë të infektuar dhe 5318 të vdekur.

Shtete të ndryshme kanë marrë vendime të ndryshme sa u përket udhëzimeve për përdorim të maskave. Austria i ka bërë ato të detyrueshme gjatë blerjeve nga fillimi i këtij muaji, ndërsa Zvicra nuk i ka detyruar qytetarët që t’i vendosin ato.

Parlamenti spanjoll ka miratuar kërkesën e qeverisë për zgjatjen e masave të bllokimit deri më 9 Maj, një kërkesë e kaluar me 269 vota pro, 60 kundër dhe 16 abstenime. Por nga 27 Prilli fëmijët do të lejohen të dalin nga shtëpia të shoqëruar nga një i rritur. Deri tani në Spanjë janë regjistruar mbi 213 mijë raste me Covid-19 dhe më shumë se 22 mijë vdekje.

Ndërkaq Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar disa të dhëna ku gati gjysma e personave që kanë ndërruar jetë nga Covid-19 në Evropë jetonin në azile.

Klan Plus