Trump: Situata do normalizohet deri në Gusht

Italia shënoi 345 viktima gjatë 24 orëve të fundit, duke ruajtur një nivel të qëndrueshëm në këto tre ditë, e duke e çuar në 2503 totalin e të vdekurve. Këtë të martë u shënuan afro 3 mijë të infektuar më shumë se një ditë më parë, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre është mbi 26 mijë. Presidenti kinez Shi Xhinping, vendi i të cilit ka shpëtuar tashmë nga koronavirusi dhe ka vetëm një rast të ri infektimi, premtoi dërgimin e ndihmave të reja për Italinë, në një telefonatë me kryeministrin italian Giuseppe Conte. Italia është e dyta në botë për nga numri i viktimave dhe përhapjes.

Të gjitha vendet e prekura janë në gjendje të jashtëzakonshme. Metropolet e mëdha janë të shkretuara pas vendosjes së masave që detyrojnë qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Kudo janë mbyllur baret, restorantet, palestrat dhe është pezulluar gjithë aktivitetin social, veç ushqimoreve dhe farmacive. Gjendjen e jashtëzakonshme e shpalli së fundi edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili nga Shtëpia e Bardhë bëri edhe një parashikim se kur vendi i tij do të çlirohet nga koronavirusi.

“Thuhet se deri Korrik, Gusht, diçka e tillë… kjo gjë do të pastrohet”.

Trump parashikon edhe zhytjen në recesion të ekonomisë amerikane. Të njëjtat masa shpallën edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Vendet e BE-së me përhapje të lartë koronavirusi kanë mbyllur kufijtë me fqinjët. Ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vendosi të mbyllë kufijtë e Shengenit për të huajt, për të mos e përhapur jashtë koronavirusit. Europa konsiderohet vatra e re e virusit.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në konferencën për shtyp të kësaj të marte u bëri thirrje të gjitha vendeve të prekura të ndjekin modelin e Italisë dhe Kinës, për masat e ashpra të marra kundër përhapjes.

Edhe në Iran, numri i viktimave mbërriti në 988, atje ku infektimet kanë prekur afro 15 mijë njerëz, ndër shifrat më të larta në botë. I gjithë globi numëron mbi 7100 viktima dhe rreh 129 mijë të infektuar prej fillimit të përhapjes së koronavirusit.

Tv Klan