Pas sistemimit të anijes Aquarius që u ankorua në portin e Valencias, Italia po përballet sërish me një situatë emergjente. Një tjetër anije, Lifeline, e një organizate joqeveritare holandeze është kthyer në mollë sherri mes autoriteteve italiane dhe atyre malteze. Anija me 239 persona në bord, të gjithë të shpëtuar në misionet në Mesdhe, është urdhëruar të mos u afrohet porteve të Siçilisë.

Ministri italian i Transporteve Danilo Tonelli kërcënoi se do të sekuestrojë anijen dhe do të arrestojë ekuipazhin, nëse nuk i drejtohet Maltës. Ndërkohë autoritetet italiane i dërguan Maltës kërkesën zyrtare të hapë portet, çka në të kaluarën ka rezultuar e kotë.

Ministri i Brendshëm, Mateo Salvini tha se anija dhe stafi i saj janë të jashtëligjshëm dhe nuk duhet të lundrojnë kurrë në ujërat e Mesdheut. Më herët kapiteni holandez i Lifeline e kishte quajtur Salvinin fashist.

Sakaq gjendja në det sa vjen e rëndohet. Vetëm këtë javë janë mbytur mbi 220 emigrantë.

Shpresat për një zgjidhje pikë së pari politike, aktualisht duken të pakta. Liderët e 10 vendeve anëtare të BE do të mblidhen të dielën në Bruksel, për të studiuar një strategji për përballimin e fluksit gjithnjë në rritje. Italia e ka bërë të qartë se nuk bie dakord me asnjë plan, nëse fillimisht nuk ndihmohet nga partnerët europianë.

Tv Klan