Një finale e Kupës e hapur për tifozët. Kjo është hipoteza që po mendohet në Federatën Italiane të Futbollit, ku sipas mediave vendase, ndeshja midis Juventusit dhe Atalantës e planifikuar për 19 Maj do të luhet me prezencë publiku.

Gjithçka do të varet nga ecuria e situatës epidemiologjike dhe ajo e fushatës së vaksinimit. Stadiumi pritës i këtij dueli pritet të zgjidhet Mapei, kjo për shkak edhe të çështjes së marketingut, pasi një ndeshje për tu organizuar në këtë impiant kushton rreth 1 milion euro për arkat e Federatës Italiane. 

Impianti ku luan Sassuolo mirëpret deri në 23 mijë spektatorë, por numri që do jenë të pranishëm për sfidën mes Juventusit dhe Atalantës mbetet të vendoset në ditët e ardhshme. Italia është shteti i radhës që do hap dyert për tifozët që prej ditës së parë të shpërthimit të pandemisë Covid-19.

Një gjë të tillë e kanë bërë Hollanda, Danimarka dhe Turqia, ndërsa këtë rrugë do zgjedh dhe Anglia, me gjysmëfinalet dhe finalen e FA CUP.

Klan News