Kabineti i kryeministrit italian Mario Draghi mblidhet këtë të mërkurë për të aprovuar paketën e re të masave Covid-19, që do të hyjnë në fuqi kur ajo aktuale të përfundojë, javën e ardhshme.

Dekreti i ri pritet të ruajë sistemin aktual edhe gjatë muajit Prillit, sipas së cilit rajonet klasifikohen si zona të kuqe me rrezik të lartë, zona portokalli me rrezik të mesëm dhe zona të verdha me rrezik të moderuar, ku kufizimet janë shumë më të lehta.

Megjithatë, dekreti pritet gjithashtu të përfshijë mekanizmin që bën të mundur lehtësimin e masave në mënyrë domethënëse nëse të dhënat nga virusi përmirësohen.

Në zonat e kuqe të gjitha baret dhe restorantet janë të mbyllura përveç shërbimit delivery. Edhe dyqanet që konsiderohen si jo esenciale janë po ashtu të mbyllura.

Në zonat portokalli, dyqanet janë të hapura, por baret dhe restorantet jo.

Në zonat e verdha, dyqanet janë të hapura, po ashtu edhe baret e restorantet, deri në orën 18:00.

Paketa pritet të përfshijë edhe rregullat e reja që lidhen me punonjësit e sistemit të shëndetësisë që refuzojnë të vaksinohen. Ata rrezikojnë që të pezullohen nga puna pa të drejtë page./tvklan.al