Tifozët mund të ndihen pak më të qetë. Edhe pse jo favorite, Italia e tyre dha shpresa në përballjen ndaj Finlandës në stadiumin “Bentegodi” të Veronës.

Të përzgjedhurit e trajnerit Antonio Konte, edhe pse larg emrave të mëdhenj të dikurshëm, luajtën fort, në kërkim të konfirmimit të tyre në skenën e madhe të futbollit.

Loja ishte e shpejtë dhe goditjet drejt portës finlandeze nuk munguan, tregues i qartë i dëshirës për të përsëritur triumfet e mëdhenj të katër herë kampionëve të botës.

Edhe pse rezultati u zhbllokua me penallti, Italia mund t’ia kishte dalë më parë dhe me aksione nga loja.

Antonio Kandreva, lojtari i Lacios, është një nga ata tek të cilët trajneri Konte ka vendosur shpresa të mëdha.

Jo më kot, ai fitoi penallti dhe e realizoi po vetë.

Trajneri beson se ekipi i tij, relativisht i ri, do të jetë më i rrezikshëm nëse do të dijë të zgjidhë pasimin e fundit.

Në pjesën e dytë, Konte provoi lojtarë të tjerë, dhe mori përgjigje të rëndësishme edhe prej tyre.

Njëri nga zëvendësuesit ishte Daniele De Rosi, me mesfushorin e Romës që menjëherë e dërgoi topin në rrjetë.

Me 18 gola me fanelën e kombëtares, De Rosi është shënuesi më i mirë i Italisë së sotme, ndaj pritet të jetë i rëndësishëm në një ekip ku përvoja nuk është aq e madhe sa dikur.

Tv Klan