Italia përballet me krizën më të madhe të mungesës së infermierëve. Në të gjithë gadishulllin mungojnë 53 mijë dhe infermierët që aktualisht janë aktivë pranë strukturave shëndetsore, janë të detyruar të ndjekin deri në 11 pacientë njëkohësisht e në disa zonë numri arrin në 17. Alarmi hidhet nga Urdhri i Infermierëve FNOPI duke u bazuar në të dhënat e vitit 2016.

Sipas tyre, në analizat e të gjitha rajoneve, rezultatet më pozitive paraqiten vetëm në disa provinca veriore ku regjistrohet një infermier për tre pacientë. Shqetësuese paraqitet situata edhe në Lombardi, ku ndodhen edhe spitalet më të mira në nivel kombëtar, por që vërehet një mungesë prej 4800 infermierësh në këto struktura shëndetësore.

Sipas autoriteteve, këto shifra kanë pasoja të rënda, pasi shtohen rreziqet për të sëmurët por edhe për vetë infermierët që punojnë. Urdhri i Infermierëve ndërkohë kërkon që çështja të zgjidhet dhe ka kërkuar një mbledhje urgjente për shqyrtimin e kësaj situate me ministren e Shëndetësisë Giulia Grillo dhe përfaqësuesit e të gjitha provincave italiane.

Klan Plus