Një shqiptar është arrestuar në Britani pasi kërkohej prej disa vitesh për tentativë vrasjeje dhe sherr. Ky person është kapur nga autoritetet italiane në bashkëpunim me ato britanike, vend ku shqiptari kishte vendosur që të strehohej pas arratisë. Mbrëmjen e së enjtes, ai u ekstradua drejt Romës. Identiteti i tij nuk është bërë publik ende.

Për cilën ngjarje akuzohet shqiptari

Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur natën mes 9 dhe 10 Dhjetorit 2006, në një kohë kur ka pasur një konflikt verbal mes dy grupesh shqiptarësh në parkingun e një qendre lojërash në Pordenone. Shumë shpejt, sherri që nisi me fjalë do përfundonte në mënyrën më të keqe. Një prej shqiptarëve, personi i ekstraduar, do të shkonte në banesën e tij, do të merrte një thikë të madhe dhe do të kthehej në vendin e sherrit. I mbështetur nga dy vëllezërit e tij, ai do të plagoste tre shqiptarë të tjerë me thikë. Të tre këta persona u dëmtuan rëndë, veçanërisht njëri i cili u godit në bark.

Arratia pas ngjarjes

Dy javë më vonë, autori do të merrte rrugën drejt Shqipërisë për t’u arratisur. Nga frika e hakmarrjes, ai do të merrte edhe njëherë rrugën e arratisjes drejt Greqisë dhe më pas drejt Britanisë së Madhe për t’u fshehur përfundimisht. Ai përdori dokumente false dhe ndërpreu kontaktet me familjarët në Itali. Shqiptari u akuzua për tentativë vrasjeje dhe sherr dhe përfundimisht u dënua me 17 vjet, 10 muaj e 6 ditë burg. Më 8 Maj të 2017-ës, ndaj tij u lëshua një arrest ndërkombëtar. U deshën disa vite të tjera që të lokalizohej. Shqiptari qëndronte i fshehur në Edinburgh të Skocisë./tvklan.al