Italia përballet me një tjetër test delikat të dielën, pas krizës politike që prodhoi qeveria Renzi, duke detyruar ish-Kryeministrin të dorëhiqej. Koalicionet kryesore dhe partitë politike, mbyllën fushatat e tyre të premten.

Me interes shihet rikthimi në skenën politike i tre herë Kryeministrit, Silvio Berlusconi. Sipas sondazheve, koalicioni i Forza Italia e Berlusconit me Lega Nord të Mateo Salvinit, janë pretendentët kryesorë për fitimin e zgjedhjeve.

Me gjithë shqetësimin në Itali dhe më gjerë në Europë për forcimin e ekstremistëve të Lega Nord, që janë për ashpërsim të masave për emigrantët, Kavalieri shpalli kandidat për Kryeministër, presidentin aktual të Parlamentit Europian, Antonio Tajanin, si një garanci për rrugëtimin pro-europian të Italisë. Berlusconit i ndalohet të kandidojë, për shkak të dënimit për shmangie taksash.

Në garë e vetme, “Lëvizja 5 yjet” konsiderohet forcë e parë politike në sondazhe dhe e dyta pas qendrës së djathtë. Në mbylljen e fushatës themeluesi i saj ish-komiku Beppe Grillo, u shfaq përkrah kandidatit për Kryeministër, Luigi Di Maio. Kandidati Di Maio theu traditën politike në Itali, duke prezantuar para zgjedhjeve të gjithë kabinetin qeveritar.

Qendra e majtë e kryesuar nga Partia Demokratike e ish-Kryeminstrit Renzi renditet në vend të tretë. Ata që premtojnë Hënën do të na çojnë në humnerë, tha kryeministri demokrat Gentiloni duke thumbuar premtimet e rivalëve Salvini e Di Maio.

E shtuna është heshtje zgjedhore, ndërsa në rrjetet sociale nuk ndalon gjuetia ndaj të pavendosurve, që numërohen rreth 4 milionë votues. Projektimet e para të sondazheve vlerësojnë se qendra e djathtë kryeson me 35%, qendra e majtë me rreth 30% dhe Lëvizja 5 Yjet me 27%.

Tv Klan