Për Elhaida Danin Italia është vendi që e bëri të arrinte suksesin, pa marrë parasysh faktin që vinte nga një shtet tjetër, e për këtë ajo shpreh mirënjohje. Megjithatë për të, Shqipëria është vendi ku ka rrënjët. Këngëtarja ishte sonte e ftuara e dytë e spektaklit “Në kurthin e Piter Pan”, ku fëmijët e pyetën nëse do të rikthehej për të jetuar përfundimisht në Shqipëri.

“Shqipëria është vendi ku unë kam rrënjët, ku unë kam lindur dhe nuk di si do të jetë e ardhmja ime. Ama Italia është ai vend që më dha një mundësi kaq të madhe. Nuk shikoi faktin që unë vija nga një shtet i huaj dhe më dha me të vërtetë suksesin, më realizoi ëndrrat e mia, atë që unë po punoja kaq shumë. Nuk mund të bëj një dallim shumë të madh, por Shqipëria është vendi nga i cili unë vij dhe zemra ime është këtu”,

tha artistja shqiptare, e cila aktualisht jeton në Itali

.

Dani veçoi eksperiencën e saj në “The Voice of Italy”, si një prej momenteve më të bukura në skenë, një kompeticion ku ajo u shpall fituese.

“Është absolutisht The Voice, është ai vendi ku unë zbulova që kam shumë guxim, përveçse talent. Zbulova që kam shumë guxim, që unë marr rrugët dhe nisem në një shtet të huaj dhe filloj një rrugë nga zeroja. Është the Voice of Italy, është absolutisht kjo skenë”./tvklan.al