Di Maio: Integrimi i Ballkanit, investimi kyç i BE

Itali vijon të mbetet avokate kryesore e çeljes së negociatave të vendit tonë me Be-në. Ministri i jashtem, Luigi Di Maio në një mëngjes pune me kryediplomatët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, këmbënguli për rëndësine që ka zgjerimi i unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ky diskutim na lejoi që të rinovonim konsensusin për parimet e të ardhmes për zgjerimin, si dhe për të konfirmuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Për të arritur këtë objektiv, shteti i së drejtës duhet të mbetet gur themeli i procesit të zgjerimit. Angazhimi ynë kolektiv konfirmon edhe njëherë se ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë është në lojë, përfshirë edhe besueshmërinë e BE-së si aktor global. Integrimi i Ballkanit Perëndimor mbetet investimi jonë kyç, gjeostrategjik e politik, për të përforcuar paqen, pajtimin, stabilitetin dhe prosperitetin në Europë. Lidhur me negociatat për zgjerim, hapja e këtyre negociatave do të shënjojë vetëm fillesën e jo përfundimin e rrugëtimit europian. Megjithatë nuk mund të nënvlerësojmë ndikimin potencial të hezitimeve tona në Ballkan, sidomos kur bëhet fjalë për qëndrimet reformatore në rajon”. 

Për fatin e negociatave është diskutuar edhe gjatë takimeve që zhvilloi kryeministri Rama me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, së bashku me përfaqësuesit e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Një prej këtyre takimeve ishte dreka e punës me komisionerin e zgjerimit, Olivér Várhelyi ku është folur siç njofton kryeministri në rrjetet sociale  për zgjerimin, metodologjinë e re të negociatave dhe bashkëpunimin rajonal.

Tv Klan