Italia zgjohet e izoluar

Italia zgjohet e izoluar

11:45 10/03/2020

Koronavirusi mbërthen gjithë botën

Covid-19 ka mbërthyer globin. Lajmi më dramatik vjen nga Italia, aty ku rreth 60 milionë banorë mëngjesin e kësaj të marte u zgjuan të izoluar nga bota. Vendimi i paprecedentë vjen në një kohë kur numri i viktimave në vend shkoi në 463, duke e bërë kështu vendin më të prekur jashtë Kinës.

Irani raportoi 43 vdekje të tjera nga sëmundja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e viktimave në të paktën 237.

Këto pamje vijnë nga Roma

Ndërsa këto nga Milano

Radhë të gjata nëpër supermarkete gjatë natës

Përgjatë natës në supermarketet italiane, qytetarë të shumtë qëndruan në radhë për të blerë furnizime.

Një përdorues në Twitter postoi një foto ku shfaqeshin radhë të gjata jashtë supermarketeve, pavarësisht paralajmërimeve të qeverisë për të evituar grumbullimet.

Qeveria i ka siguruar italianët që supermarketet dhe dyqanet do të qëndrojnë të hapur. Shumë kanë zgjedhur që furnizimet t’i bëjnë nëpërmjet porosive online.

Izolimi i shtetit fqinj fillimisht ishte vetëm për Italinë e veriut, por teksa numri i viktimave vijoi të rritej, kryeministri i Giuseppe Conte tha se duheshin marrë masa të forta e drastike. Njerëzit e kanë të ndaluar që të mblidhen në publik dhe shkollat e universitetet do të qëndrojnë të mbyllura deri më datë 3 Prill.

Të gjitha eventet sportive janë pezulluar në të gjithë vendin.

Numri i viktimave shkon në 4 000

Numri i viktimave në mbarë globin e ka kaluar 4 000, me Kinën që raportoi 17 të vdekur të tjerë nga virusi. Ai është shpërndarë në mbi 100 shtete dhe ka më shumë se 110 000 raste.

Përveç humbjes së jetëve, koronavirusi ka shkaktuar kaos në udhëtimet në të gjithë globin, në punë, shkolla. evente sportive e argëtuese.

Si paraqitet situata jashtë Italisë

6 të prekur në Shqipëri

Në Shqipëri, mbrëmjen e së hënës autoritetet konfirmuan se numri i të prekurve nga koronavirusi është 6 persona. 3 prej tyre janë të afërm të dy personave të parë që rezultuan pozitivë, babë e bir të moshës 54 dhe 28 vjeç nga Tirana. Personi i gjashtë është 31-vjeçar me banim në Tiranë, i cili sapo është kthyer nga qëndrimi një ditor në Itali. Të hënën qeveria shqiptare vendosi të ndërpresë fluturimet me 10 aeroporte të veriut të Italisë e njohur edhe si “zona e kuqe”. E njëjtë është situata edhe në portet e Durrësit dhe të Vlorës ku u pezulluan lundrimet e trageteve drejt Italisë.

Në Maqedoninë e Veriut numri i të prekurve të hënën shkoi në 7.

Rastet e koronavirusit në Europë

Pasagjerët e kroçerës amerikane nisin të dalin

Rreth 2 500 pasagjerë që prej ditësh qëndronin të izoluar brenda një kroçere amerikane kanë nisur të dalin prej saj. 19 anëtarë të ekuipazhit dhe 2 pasagjerë rezultuan pozitivë me Covid-19.

Të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmë mjekësore u transportuan të parët me ambulanca. Të gjithë amerikanët që nuk kishin nevojë për trajtim do të futen në karantinë për 2 javë. Qindra pasagjerë të huaj të tjerë do të kthehen në shtëpi.

Numri në Australi shkon në 100

Megjithatë pjesa më e madhe prej tyre, me përjashtim të 3 vdekjeve, janë raste jo të rënda. Sipas autoriteteve atje, më shumë se gjysma e pacientëve të infektuar janë shëruar.

Presidenti kinez Xi shkon për herë të parë në Wuhan

Vizita e tij vjen në një kohë kur numri i të prekurve po vjen gjithnjë në rënie.

Mongolia konfirmoi rastin e parë

Pacienti i parë thuhet se është një 57-vjeçar francez i cili kishte udhëtuar në Mongolia nga Franca, me tranzit nga Moska. Qeveria atje ka identifikuar 42 persona që ai kishte takuar dhe 120 persona që kishin pasur kontakt të afërt me të.

Koreja e Jugut raportoi numrin më të ulët të të prekurve pas 2 javësh

131 raste u konfirmuan përgjatë 24 orëve të fundit. Rastet e infektimit në ditë kanë shfaqur ngadalësim përgjatë ditëve të fundit. Megjithatë autoritetet vijojnë të qëndrojnë në alert. Aktualisht në këtë vend janë 7 513 raste të konfirmuara.

9 raste të tjera në Pakistan

9 persona të tjerë u diagnostikuan në Pakistan, duke e çuar në total numrin në 16.

Vdekja e parë në Kanada

Kanadaja regjistroi vdekjen e parë nga Covid-19, në provincën e British Columbia. Viktima, mosha e të cilit nuk është bërë publike, jetonte në një shtëpi për të moshuarit në veri të Vancouver-it. Kanadaja ka regjistruar më shumë se 70 raste të prekura me koronavirus.

Japoni: 33 pacientë konsiderohen të sëmurë rëndë

Numri i rasteve të regjistruara në Japoni ka shkuar nga 2 në 510. Ministri i Shëndetësisë tha se 33 prej të infektuarve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Numri i viktimave në vend është 16, përfshirë ata që ndodheshin në krocerën Diamond Princess.

Pezullohen shërbimet në qendrën më të madhe mjekësore në Qipro

Pjesa më e madhe e shërbimeve që ofrohen në spitalin e përgjithshëm Nicosia janë pezulluar për të paktën 48 orë. Autoritetet thonë se lëvizja vjen pasi një doktor 64-vjeçar rezultoi pozitiv. Ai ishte kthyer së fundmi nga Britania dhe kishte qenë në kontakt me pacientë.

Izraeli vendos vetëkarantinim për të gjithë ata që shkojnë në këtë shtet

Të gjithë ata që shkojnë në Izrael do të duhet të vetëizolohen për 14 ditë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Benjamin Netanyahu. Aktualisht në këtë vend janë 42 raste të konfirmuara.

Malta ndërpret të gjitha udhëtimet me Italinë

Të gjitha fluturimet mes Maltës dhe Italisë janë pezulluar për një periudhë të pacaktuar, ashtu sikurse edhe shërbimi i trageteve. Autoritetet në vend konfirmuan rastin e 4 me koronavirus.

Pacienti numër 1 në Itali del nga kujdesi intensiv

Pacienti i parë i prekur me koronavirusi doli nga kujdesi intensiv për herë të parë qëkur rezultoi pozitiv më 21 Shkurt.

Shkon në 20 numri i viktimave nga shembja e hotelit

Numri i personave që humbën jetën nga shembja e një hoteli të shtunën në Kinë shkoi në 20. Hoteli i cili ndodhet në qytetin e Quanzhou po përdorej si qendër karantine. Nga ngjarja mbetën të plagosur të paktën 41 persona.

Pamjet në Vietnam

Vietnami ka regjistruar 31 raste, 16 prej të cilëve janë shëruar dhe kanë lënë spitalet. Të gjitha shkollat janë mbyllur dhe udhëtimet janë kufizuar.

Kjo foto tregon punonjës që dërgojnë ushqime në një zonë karantinë në një rrugë në Hanoi. Rruga u izolua që prej së premtes, pasi një 26-vjeçare e cila ishte kthyer së fundmi nga Europa, rezultoi pozitive.

Ushtria indiane evakuon qytetarët nga Irani

Forcat Ajrore evakuuan 58 qytetarë nga Irani  me avionë ushtarakë. Ata do të futen në karantinë për të paktën 14 ditë përpara se të lejohen që të kthehen në shtëpitë e tyre. India deri më tani ka regjistruar 44 raste.

Kriza godet industrinë e avionëve

Virgin Atlantic thotë se avionët e saj po fluturojnë thuajse bosh, ndërsa Qantas ka shkurtuar çerekun e udhëtimeve.

Në foto shihen anulime të shumta të fluturimeve në aeroportin Haneta të Tokios mëngjesin e sotëm.

Maskat në burgje

Teksa kërkesat për maska janë rritur në mbarë botën, në këtë foto të AFP, shihen të burgosurit në një burg të Tajvanit që po i qepin.

Shembulli i Kryeministrit tajlandez

Larja e duarve në mënyrë të rregullt dhe të duhur është një prej mënyrave më të mira për të parandaluar përhapjen e virusit.

Ky është kryeministri tajlandez Prayut Chan-O-Cha duke pastruar duart në mënyrë demonstrative, përpara mbledhjes së qeverisë mëngjesin e kësaj të marte në Bankok.

Norwegian Air anulon të gjitha fluturimet drejt Italisë

Norwegian Air anulon të gjitha fluturimet drejt Italisë për shkak të virusit. Lajmi u njoftua këtë të martë dhe nuk dihet se kur do të rinisin.

Presidenti i Parlamentit Europian vetëizolohet

David Sassioli, presidenti i Parlamentit Europian konfirmoi se do të vetëizolohet pas udhëtimit në Itali, fundjavën e shkuar. Ai do të punojë nga shtëpia e tij në Bruksel përgjatë 14 ditëve të ardhshme. Sassioli tha se e mori këtë vendim si masë parandaluese.

Simptomat e koronavirusit (Covid-19)

Simptomat e virusit duan 5 ditë që të shfaqen

Ky fakt u konfirmua nga shkencëtarët dhe kjo është arsyeja përse ekspertët këshillojnë që të gjithë ata që mund të jenë prekur, shfaqin ose jo shenja, duhet të vetëizolohen për 14 ditë. Ata që nuk kanë simptoma deri në ditën e 12-të, kanë pak gjasa që të shfaqin simptoma, megjithatë mund të jenë ende bartës.

Burimi: BBC

Tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi