Italianët në Shqipëri, 1939
Autori: Blendi Fevziu
21:55 27/08/2009Opinion-7 Prilli i vitit 1939 ka lënë shumë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Pas një vendimi të Benito Musolinit, kryeministrit italian, forcat italiane sulmuan vendin tonë. Është një moment për të cilin është folur shumë dhe është cilësuar si moment i zi për shqiptarët.
Më 27 Gusht 2009, gazetari Blendi Fevziu ka realizuar një emision për historinë e italianëve gjatë luftës në Shqipëri.
Përmes kronikave të trukuara, italianët i tregonin popullit të tyre se ishin pritur në Shqipëri si shpëtimtarë, ndërkohë që në të vërtetë ka qenë e kundërta. Trupat shqiptare kishin rezistuar për orë të tëra dhe një prej historianëve të asaj kohe shprehej se nëse ushtria shqiptare do të kishte qenë e mirëorganizuar italianët nuk do të kishin mundur të zbarkonin.
Gjithsesi italianët zbarkuan më 7 Prill të 1939-s dhe pretendonin të ngrinin një perandori të tyren përmes joshjes, dhunës dhe politikave social-ekonomike. Pesë ditë më vonë një grup politikanësh shqiptarë, mbështetës të italianëve futen në parlament dhe vendosin t’i dhurojnë kurorën e Skënderbeut, Viktor Emanuelit, mbretit të Italisë.
Kjo ka qenë ndër ngjarjet më të turpshme, pasi shumë protagonistë shkelën mbi vendin e tyre. Propozimin për dorëzimin e kurorës e kishin bërë vetë politikanët shqiptarë në Romë, në një ceremoni madhështore. Pas mbarimit të ceremonisë zyrtare, në servisin e pallatit mbretëror mungonin disa lugë floriri. Ato i kishin vjedhur përfaqësuesit shqiptarë.
Tentativat e italianëve për të krijuar fasadën e një Shqipërie të pavarur filluan të bien. Ata vendosën që flamurit kuq e zi t’i “vishnin” sëpatat. Ideja e tyre për Shqipërinë e madhe u bë edhe më joshëse për shqiptarët.
Regjimi fashist tentoi të imponojë mënyrën e vet të jetesës dhe edukimit. Ndërtuan kampe pushimesh dhe stërvitjeje. Por një moment ka mbetur pezull në historinë e italianëve në Shqipëri, ajo e strehimit të ushtarëve italianë në familjet shqiptare gjatë pushtimit gjerman. Italianët arritën të ambientohen në familjet shqiptare, disa prej tyre iu bashkuan lëvizjes së rezistencës dhe një pjesë u riatdhesua në Itali. / tvklan.al