Droga erdhi në 6 Maj në Durrës, qëndroi 9 ditë deri kur u nis për Kosovë. Dalin emrat e të arrestuarve

Kontenieri ku ndodheshin 400 kilogramë kokainë të sekuestruar në Kosovë, ka qëndruar në portin e Durrësit për 9 ditë. Ngarkesa e nisur nga porti Santos i Brazilit, ka hyrë në vendin tonë, datën 6 Maj dhe prej aty është larguar të shtunën e shkuar me 15 Maj.

Nëpërmjet doganës së Morinës, kamioni që transportonte mish nuk ka ndaluar në asnjë vend deri në momentin që ka mbërritur në Lipjan. Droga ishte njoftuar nga DEA amerikane, të cilët kanë njoftuar Guardia di Finanzas, dhe më pas SPAK dhe policinë kosovare.

Informacioni tek DEA për trafikun e një sasie të madhe kokaine është dhënë 3 muaj më parë partnerëve italianë dhe shqiptarë dhe prej asaj kohe janë mbajtur nën vëzhgim gjitha ngarkesat e mbërritura nga Amerika latine. Gjatë kontrolleve rastësore, u kap rreth një muaj më parë dhe sasia prej 49 kg kokainë dhe për këtë u arrestua Selim Çekaj babai i Arbër Çekajt.

Për të zbuluar personat e përfshirë në këtë linjë trafiku droge grupi i hetuesve, ka vënë nën mbikëqyrje 25 persona, ku 7 prej tyre janë arrestuar. Ata janë Izet e Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Bajram Maliqi, Kadri Brahimi, Enver Belegu dhe Fehmi Bytyqi.

Këta të fundit janë dërguar në paraburgim dhe gjatë dëshmisë së tyre kanë mohuar që të janë personat që kanë sjellë lëndën narkotike. Sipas tyre janë persona të tjerë që kanë ngarkuar drogën pa dijeninë e tyre. Deri më tani sipas burimeve nuk bëhet e ditur që të ketë shtetas shqiptarë të përfshirë në trafikun  e kokainës me vlerë 20 milionë euro. 

Gjatë kontrolleve të policisë së Kosovës, janë sekuestruar dy pistoleta, rreth 26 mijë Euro, 8 kompjutera, 4 DVR dhe 1 Hard Disk. Megjithatë Guardia di Finanza deklaron se nëse droga do shitej me pakicë në qendrat evropiane të tregtisë së drogës, krimi i organizuar do fitonte mbi 100 milionë euro.

Klan News