Gjatë 24 orëve të fundit, u është hequr patenta 74 shoferëve të cilët kanë shkelur urdhrin e ndalimit të qarkullimit. Këta shoferë kanë qarkulluar me makinë gjatë orarit të ndaluar në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Përveç heqjes së patentës, u është bllokuar edhe automjeti.

Gjithashtu, janë arrestua dy shoferë për vepra të ndryshme penale. Konkretisht, në Berat shtetasi 44-vjeçari me iniciale P. H., u arrestua për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë për shoqërim. Ndërsa në Elbasan, u vu në pranga 56-vjeçari me iniciale I. A., 56 vjeç, pasi drejtonte mjetin në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një armë sportive pistoletë pa leje.

Gjithashtu, në Bulqizë janë proceduar penalisht shtetasi U. T., drejtues motomjeti dhe pasagjeri T. T., për drejtim motomjeti në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi dhe kundërshtim e mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme nuk zbatuan urdhrin e dhënë për qëndrimin në banesë pas orës 18:00, 10 persona, nga të cilët 9 në Durrës dhe 1 në Tiranë, që qarkullonin me biçikleta apo në këmbë, në oraret e ndaluara. Ata u ndëshkuan me gjobë 100 mijë Lekë të vjetra. /tvklan.al